Irani zbulon "raketën strategjike" të re me 1.450 kilometra rreze veprimi
Në një ceremoni ku morën pjesë figura të larta ushtarake, raketa "Khyber Shikan" me një rreze veprimi prej 1.450 kilometrash u shfaq për herë të parë nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC)

Teheran
Garda Revolucionare e Iranit ka zbuluar një raketë të re strategjike në kuadër të festimeve për të shënuar 43-vjetorin e revolucionit të vitit 1979, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një ceremoni ku morën pjesë figura të larta ushtarake, përfshirë shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit, gjeneral Mohammad Baqeri, raketa "Khyber Shikan" me një rreze veprimi prej 1.450 kilometrash u shfaq për herë të parë nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Sipas zyrtarëve ushtarakë, raketa vjen me karakteristika të veçanta, ndryshe nga raketat e tjera me saktësi të lartë që ushtria iraniane dhe IRGC-ja kanë zhvilluar viteve të fundit.
Raketa "Khyber Shikan", thonë ekspertët, mburret me shpejtësi dhe saktësi të lartë në goditjen e objektivave brenda një rrezeje prej 1450 kilometrash.
Ajo po ashtu ka peshë relativisht të ulët (një e treta e mostrave të tjera), kohë më të shpejtë të përgatitjes (një e gjashta e mostrave të tjera) dhe shpejtësi më të madhe për të depërtuar në mburojat mbrojtëse.
Sipas gjeneralit Amir Ali Hajizadeh, i cili drejton sektorin e hapësirës ajrore të IRGC-së, kjo raketë e gjeneratës së tretë në armaturën e IRGC-së posedon një "lëndë djegëse të ngurtë" dhe "manovrim të lartë" për të kaluar përmes një mburoje raketore.
Zbulimi i raketës së re të IRGC-së vjen një ditë pasi Irani dhe nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 u mblodhën në Vjenë për të rifilluar raundin e tetë të bisedimeve që synonin të shpëtojnë marrëveshjen.
Derisa Irani kërkon heqjen e sanksioneve në bisedimet që filluan në muajin prill të vitit të kaluar, vendi e ka shpallur programin e tij raketor "të pa negociueshëm", pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga palët perëndimore për ta përfshirë atë në diskutimet shumëpalëshe.
Sipas vëzhguesve rajonal, zbulimi i raketës "Khyber Shikan" duket se do të rrisë tensionet midis Iranit dhe Izraelit, si dhe do të provokojë një reagim edhe nga zyrtarët amerikanë.
Viteve të fundit, IRGC-ja ka bërë përparim të qëndrueshëm në zhvillimin e raketave balistike me saktësi të lartë, raketave të lundrimit dhe po ashtu të disa dronëve.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, dhjetëra raketa balistike dhe dronë u shfaqën gjatë një stërvitje ushtarake që shënjestronte një model eksperimental të objektit bërthamor izraelit "Dimona".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.