Bota

Irani shpall ditë zie kombëtare pas shembjes së ndërtesës 10-katëshe

Shembja e ndërtesës në Abadan është përshkruar si një nga fatkeqësitë më vdekjeprurëse në Iran në vitet e fundit

Ekip  | 29.05.2022 - Përdıtësım : 30.05.2022
Irani shpall ditë zie kombëtare pas shembjes së ndërtesës 10-katëshe

Teheran

Qeveria iraniane shpalli sot një ditë zie kombëtare për shkak të shembjes së ndërtesës javën e kaluar në qytetin jugperëndimor Abadan, ku mbetën të vdekur 29 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kryeqytetin Teheran, bashkia vendosi pankarta të zeza në të gjitha rrugët kryesore dhe rrethrrotullimet me mesazhe si “Ngushëllime Abadan”, për të shprehur solidaritetin me popullatën në provincën Khuzestan.

Ndërtesa tregtare dhjetëkatëshe “Metropol” u shemb më 23 maj, incident të cilin ekspertët dhe autoritetet e menaxhimit të fatkeqësive e kanë përshkruar si një nga fatkeqësitë më vdekjeprurëse në Iran në vitet e fundit.

Numri i të vdekurve ka arritur në 29, i cili mund të rritet pasi më shumë se 38 persona janë ende të zhdukur, sipas autoriteteve provinciale.

Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahedi, i cili vizitoi vendngjarjen të premten, tha se mund të ketë një vonesë në operacionin për gjetjen e trupave të vdekur pasi vëllimi i rrënojave është i madh.

Më shumë se 100 persona ishin të pranishëm brenda ndërtesës në ndërtim e sipër në rrugën e frekuentuar Amiri në momentin e shembjes, mëson AA nga burimet lokale.

Zyra e prokurorit provincial në Khuzestan ka njoftuar arrestimin e 13 personave deri më tani, duke përfshirë kryetarin dhe nënkryetarin e bashkisë, kurse një komitet prej shtatë anëtarësh është duke ndërmarrë një hetim për shembjen.

Incidenti ka ngritur alarmin në gjithë vendin, ndërsa njerëzit kërkojnë masa të rrepta kundër personave përgjegjës për shembjen e ndërtesës dhe keqmenaxhimin.

Sipas raportimeve, ka rreth 33.000 deri në 34.000 ndërtesa që konsiderohen të pasigurta vetëm në Teheran, nga të cilat më shumë se 100 ndërtesa janë në “kushte shumë të rrezikshme”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın