Irani riafirmon kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, paralajmëron SHBA-në dhe partnerët e saj
Teherani thotë se anijet që u përkasin SHBA-së dhe vendeve të lidhura me sulmet e fundit ndaj Iranit nuk kanë të drejtë të kalojnë nëpër korridorin kyç detar
Ankara
Forcat e Armatosura të Iranit përsëritën sot se kontrollojnë Ngushticën strategjike të Hormuzit dhe se nuk do të lejojnë SHBA-në apo vendet e përfshira në sulmet e fundit kundër Iranit të kalojnë nëpër këtë rrugë ujore jetike, transmeton Anadolu.
"Pa asnjë dyshim apo neglizhencë, Ngushtica e Hormuzit është nën menaxhimin e mençur të forcave të guximshme detare të Gardës Revolucionare. Agresorët amerikanë dhe partnerët e tyre nuk kanë të drejtë të kalojnë këtu", thuhet në deklaratën e Shtabit Qendror "Khatam al-Anbiya", një njësi përgjegjëse për mbikëqyrjen e operacioneve ushtarake.
Irani më herët kishte njoftuar se e kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit për anijet që u përkasin vendeve të lidhura me sulmet amerikane dhe izraelite kundër vendit.
Kjo rrugë ujore konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë për transportin global të energjisë.
– Goditet një anije kontejnerësh pranë Jebel Ali
Ndërkohë, Autoriteti Britanik i Operacioneve Tregtare Detare (UKMTO) raportoi se një anije kontejnerësh është goditur nga një "objekt i panjohur" rreth 65 kilometra në veri të portit Jebel Ali në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar një zjarr të vogël në bord.
Në një deklaratë, UKMTO tha se kapiteni i anijes raportoi se mjeti ishte goditur nga një objekt i paidentifikuar dhe se në bord kishte shpërthyer një zjarr i vogël. Shkalla e plotë e dëmit nuk mund të përcaktohej për shkak të errësirës.
Organizata shtoi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt dhe se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë ndikim në mjedis. Autoritetet kanë nisur hetim për incidentin, ndërsa anijeve në zonë u është rekomanduar të lundrojnë me kujdes dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë te UKMTO.
Zhvillimet vijnë ndërsa Irani po i vazhdon sulmet hakmarrëse pas goditjeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit.
