Irani: Një vajzë 8-muajshe është midis 193 fëmijëve të vrarë në sulmet e SHBA-së dhe Izraelit
"Një vajzë 8-muajshe ishte personi më i ri i vrarë në sulmet e vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit", tha Fatemeh Mohajerani një zëdhënëse e qeverisë
Stamboll
Një vajzë 8-muajshe ishte personi më i ri i vrarë në sulmet e vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, tha sot Fatemeh Mohajerani një zëdhënëse e qeverisë, transmeton Anadolu.
Mohajerani tha se 206 gra dhe fëmijë janë vrarë që nga 28 shkurti, përfshirë 193 fëmijë nën 18-vjeç, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.
Ajo shtoi se një vajzë 4-muajshe ishte më e vogla e plagosur në luftën e nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.
Sipas autoriteteve iraniane, më shumë se 1.200 njerëz janë vrarë, përfshirë udhëheqësin suprem Ali Khamenei dhe mbi 10 mijë të tjerë janë plagosur që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet e tyre më 28 shkurt.
Të hënën, Irani shpalli Mojtaba Khamenein, djalin e Ali Khameneit, si udhëheqësin e ri suprem të vendit.
"Zgjedhja e udhëheqësit të tretë të Republikës Islamike të Iranit solli kohezionin në vend dhe prishi llogaritjet e armiqve", tha Mohajerani. Ajo shtoi se Irani nuk e filloi luftën, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për nisjen e sulmeve ndërsa negociatat ishin në zhvillim e sipër.
"Ne nuk e nisëm luftën, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë atë", deklaroi Mohajerani. Ajo shprehu se autoritetet iraniane po përgatiten për skenarë të shumtë në konflikt, duke u zotuar të vazhdojnë të mbrojnë vendin.
"Sot Irani qëndron i vendosur dhe i fuqishëm për të mbrojtur veten", tha Mohajerani.
Në hakmarrje për sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, Teherani nisi breshëri raketash dhe dronësh që shënjestrojnë Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që janë shtëpi të aseteve ushtarake amerikane.
