Bota

Irani kërcënon me sulme më të forta dhe më shkatërruese kundër SHBA-së dhe Izraelit

Një zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya të Iranit, i cituar nga agjencia e lajmeve Fars, tha se vlerësimet e SHBA-së dhe Izraelit për forcën ushtarake të Iranit janë të gabuara

Mohammad Sıo  | 02.04.2026 - Përdıtësım : 02.04.2026
Irani kërcënon me sulme më të forta dhe më shkatërruese kundër SHBA-së dhe Izraelit

Stamboll

Irani kërcënoi sot se do të nisë sulme "më të forta, më të gjera dhe më shkatërruese" kundër SHBA-së dhe Izraelit, duke hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së se kapacitetet e saj janë dobësuar ndjeshëm, transmeton Anadolu.

Paralajmërimi erdhi disa orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë se Iranit i kanë mbetur "shumë pak" raketahedhës dhe se aftësia e tij për të lëshuar raketa dhe dronë është "kufizuar në mënyrë dramatike".

Trump tha se pret që lufta të vazhdojë për dy deri në tre javë të tjera, por beson se konflikti po i afrohet fundit.

Në përgjigje, një zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya të Iranit, i cituar nga agjencia e lajmeve Fars, tha se vlerësimet e SHBA-së dhe Izraelit për forcën ushtarake të Iranit janë të gabuara.

"Njoftojmë armiqtë sionistë-amerikanë se informacioni i tyre lidhur me fuqinë dhe pajisjet tona ushtarake është i paplotë. Ata janë plotësisht injorantë për kapacitetet tona të mëdha dhe strategjike", tha zëdhënësi.

Ai hodhi poshtë pretendimet se qendrat e prodhimit të raketave dhe sistemet e përparuara të Iranit janë shkatërruar.

"Mos mendoni se keni shkatërruar qendrat tona strategjike të prodhimit të raketave, dronët tanë sulmues me rreze të gjatë veprimi, sistemet moderne të mbrojtjes ajrore dhe të luftës elektronike ose pajisjet tona speciale, sepse supozime të tilla vetëm sa do ta përkeqësojnë situatën”, tha ai.

Zëdhënësi thekson se prodhimi strategjik ushtarak i Iranit vazhdon në vende të pazbuluara përtej mundësisë së kundërshtarëve të tij. "Qendrat që ju imagjinoni kanë pak rëndësi dhe prodhimi ynë strategjik ushtarak po zhvillohet në vende që ju nuk i dini dhe nuk do të jeni kurrë në gjendje t'i arrini", tha ai.

Më tej zëdhënësi paralajmëroi se shkalla e sulmeve iraniane do të rritet. "Pas goditjeve të fuqishme dhe të pabesueshme që keni marrë deri më tani, prisni nga ne veprime që janë më të forta, më të gjera dhe më shkatërruese", deklaroi ai.

Sipas tij, lufta do të vazhdojë derisa kundërshtarët e Iranit "të thahen, të poshtërohen, të pendohen plotësisht dhe të dorëzohen".

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke rezultuar në më shumë se 1.340 vdekje, përfshirë ish-udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa ka prishur tregjet dhe aviacionin global.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın