Irani falënderon Turqinë për përpjekjet që ka treguar në çështjen e negociatave
"Falënderojmë të gjithë fqinjët tanë, veçanërisht Turqinë, për përpjekjet që kanë tregurar në çështjen e negociatave", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei
Stamboll
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se ata e vlerësojnë qasjen me qëllim të mirë të vendeve të rajonit në lidhje me negociatat, duke thënë se "Falënderojmë të gjithë fqinjët tanë, veçanërisht Turqinë, për përpjekjet që kanë tregurar në çështjen e negociatave", transmeton Anadolu.
Sipas mediave iraniane, Baghaei i bëri këto komente gjatë konferencës së tij javore për shtyp.
Duke theksuar se vendet e rajonit duan të jenë mikpritëse të negociatave dhe se i vlerësojnë këto përpjekje, Baghaei u shpreh: "Bazuar në përvojat e kaluara dhe për arsye të ndryshme, ne donim që negociatat të mbaheshin në Oman, ku SHBA-të e shpërbënë tryezën e negociatave në qershor. Falënderojmë të gjithë fqinjët tanë, veçanërisht Turqinë, për përpjekjet që kanë tregurar në çështjen e negociatave".
Baghaei theksoi se ata janë në dialog të vazhdueshëm me vendet e rajonit dhe se këto vende mund të luajnë një rol të rëndësishëm në uljen e tensioneve. "Ne duam të mbrojmë interesat e Iranit përmes diplomacisë", shtoi ai.
- "Bashkëbiseduesi ynë në negociata është SHBA-ja"
Duke komentuar vizitën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në SHBA, Baghaei tërhoqi vëmendjen veçanërisht te aktivitetet lobuese në SHBA dhe deklaroi: "Bashkëbiseduesi ynë në negociata është SHBA-ja. Edhe vendimi për të vepruar në mënyrë të pavarur nga iniciativat shtypëse që dëmtojnë rajonin është gjithashtu përgjegjësi e SHBA-së".
Baghaei tha gjithashtu se problemet politike me të cilat përballet SHBA-ja në Azinë Perëndimore rrjedhin nga mbështetja e saj për iniciativat e Izraelit në atë rajon.
- "Sa më shpejt të përfundojnë negociatat, aq më mirë për ne"
Kur iu kujtuan kritikat se Irani është ulur në tryezën e negociatave me qëllimin për të "fituar kohë", Baghaei vuri në dukje: "Sa më shpejt të përfundojnë negociatat, aq më mirë për ne. Heqja e sanksioneve është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Prandaj, retorikat e bëra në drejtimin për fitim të kohës janë të pakuptimta."
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
