Irani dënon deklaratën e Netanyahut lidhur me vizionin e tij për "Izraelin e madh"
- Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Baqaei tha se deklaratat e Netanyahut përbëjnë shkelje të qartë të Kartës së OKB-së dhe rregullave të detyrueshme të ligjit ndërkombëtar

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Irani ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në lidhje me vizionin e tij për "Izraelin e madh", transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqaei publikoi një deklaratë mbi këtë çështje në agjencinë e lajmeve Mehr.
Baqaei e quajti qëllim "fashist" kundër integritetit territorial të vendeve të rajonit, deklaratën e kryeministri izraelit Netanyahu se ai po ndjek një qëllim "që shtrihet nga Nili deri në Eufrat", me pretendimin se është një "mision historik dhe shpirtëror".
Zëdhënësi iranian tha se deklaratat në fjalë përbëjnë shkelje të qartë të Kartës së OKB-së dhe rregullave të detyrueshme të ligjit ndërkombëtar. Baqaei tha se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) dhe të gjitha qeveritë duhet t'i dënojnë fuqimisht deklarata të tilla.
- Netanyahu pretendon se "po ndërmerr mision historik dhe shpirtëror".
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pretendon se ndihet se ka marrë përsipër një mision historik dhe shpirtëror. Ai deklaroi se është i përkushtuar ndaj vizionit për një "Izrael të madh", i cili përfshin territoret e pushtuara palestineze.
Kur një gazetar i "i24 News" e pyeti nëse ndjen lidhje me vizionin e "Izraelit të madh", Netanyahu u përgjigj: "Shumë". Deputeti izraelit i ekstremit të djathtë Sharon Gal i dhuroi së fundmi Netanyahut një amuletë që simbolizon "Izraelin e madh".
Termi "Izraeli i madh" është përdorur nga disa sionistë, përfshirë Zeev Jabotinsky, themeluesin e lëvizjes sioniste revizioniste dhe që konsiderohet si babai themelues i partisë në pushtet Likud, për t'iu referuar kufijve aktualë të Izraelit, Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor të pushtuar si dhe territoreve në Jordani.