Bota

Irani dhe treshja evropiane bien dakord të rifillojnë bisedimet bërthamore javën e ardhshme

Të dyja palët kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet, por koha dhe vendi i negociatave ende nuk janë finalizuar

Ikrame Imane Kouachi  | 20.07.2025 - Përdıtësım : 21.07.2025
Irani dhe treshja evropiane bien dakord të rifillojnë bisedimet bërthamore javën e ardhshme

Ankara

Irani dhe treshja evropiane, respektivisht Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, kanë rënë dakord në parim për të rifilluar negociatat bërthamore javën e ardhshme, transmeton Anadolu.

Siç raporton transmetuesi shtetëror iranian Press TV, duke cituar një burim iranian, të dyja palët kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet, por koha dhe vendi i negociatave ende nuk janë finalizuar.

Në bisedimet me ministrin iranian i Punëve të Jashtme, kryediplomatët britanik, francez, gjerman dhe të BE-së kanë theksuar urgjencën e kthimit në diplomaci për një marrëveshje bërthamore, përndryshe ata thanë se janë të gatshëm të aktivizojnë mekanizmin e “rikthimit të menjëhershëm” të OKB-së, që do të thotë rivendosjen e sanksioneve ndërkombëtare.

Bisedimet midis Teheranit dhe SHBA-së po zhvilloheshin përmes ndërmjetësve omanë deri në sulmin e papritur të Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore. Sulmi ndodhi vetëm dy ditë para një raundi të gjashtë të planifikuar të negociatave në Muscat.

Irani akuzoi SHBA-në për bashkëpunim në sulmin izraelit, i cili vrau zyrtarë të lartë ushtarak iranianë, shkencëtar bërthamorë dhe civilë. SHBA-ja gjithashtu nisi sulme në tre lokacione të mëdha bërthamore iraniane, duke pretenduar se i shkatërruan ato. Një armëpushim hyri në fuqi më 24 qershor.

Derisa SHBA-ja dhe evropianët thonë se Irani nuk mund të ketë kurrë një bombë bërthamore, Teherani argumenton se programi bërthamor i tij është menduar për përdorim paqësor të energjisë bërthamore.

Pas bisedimeve me treshen evropiane dhe BE-në, ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, tha se ishte SHBA-ja ajo që u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe çdo raund i ri bisedimesh është i mundur vetëm "kur pala tjetër të jetë gati për një marrëveshje bërthamore të drejtë, të ekuilibruar dhe reciprokisht të dobishme".

"Nëse BE-ja dhe treshja evropian duan të kenë një rol, ata duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i lënë mënjanë politikat e lodhura të kërcënimit dhe presionit, përfshirë ‘rikthimin e menjëhershëm’ për të cilin nuk u mungon absolutisht asnjë bazë morale dhe ligjore", tha ai në X.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.