Irani: Bomba të pashpërthyera ende janë të pranishme në objektet bërthamore të goditura nga SHBA-ja
“Nuk u besojmë atyre. Ekziston mundësia që të përdorin mashtrim. Të gjitha institucionet në Iran duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre pavarësisht këtyre zhvillimeve", tha Araghchi
Stamboll
Sipas ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, në objektet bërthamore të Iranit, të cilat u goditën nga SHBA-ja vitin e kaluar, ende ndodhen bomba të pashpërthyera, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Young Journalists Club, Araghchi tha se e ka pyetur drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, nëse ekziston ndonjë ligj ose protokoll specifik që rregullon vizitat në objektet bërthamore të shënjestruara nga SHBA-ja, duke theksuar se Grossi u përgjigj se “nuk ka asgjë të tillë”.
Kryediplomati iranian tha se e ka informuar Grossin për nevojën e hartimit të një protokolli përpara çdo vizite, duke marra parasysg “çështjet ekzistuese të sigurisë, përfshirë praninë e bombave të pashpërthyera dhe çështje të tjera për të cilat duhet të bihet dakord”.
Ai theksoi se inspektimet duhet të zhvillohen vetëm pasi të arrihet një marrëveshje për këto çështje.
“Irani mbetet në kontakt me agjencinë në këtë drejtim”, shtoi ai.
Qershorin e kaluar, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një ofensivë 12-ditore kundër Iranit, duke shënjestruar objekte ushtarake dhe bërthamore, si dhe infrastruktura civile, si dhe duke kryer vrasje të komandantëve dhe shkencëtarëve. Irani, nga ana e tij, shënjestroi objekte ushtarake dhe të inteligjencës izraelite me raketa dhe dronë.
Gjatë konfliktit, SHBA-ja bombardoi tre objekte bërthamore përpara se Washingtoni të shpallte armëpushimin.
Araghchi tha se Irani nuk i beson SHBA-së, duke shtuar se rezultati i negociatave aktuale mes dy palëve mbetet i pasigurt.
“Ata provuan gjithçka dhe dështuan dhe tani janë kthyer në tryezën e negociatave, por nuk është e qartë se ku do të çojnë këto bisedime”, tha ai.
“Nuk u besojmë atyre. Ekziston mundësia që të përdorin mashtrim. Të gjitha institucionet në Iran duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre pavarësisht këtyre zhvillimeve", shtoi ai.
Bisedimet mes Teheranit dhe Washingtonit rifilluan të premten në Muskat të Omanit pas javësh tensionesh të shtuara, pas grumbullimit ushtarak amerikan në ujërat e Gjirit Persik pranë Iranit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
