Bota, Ekonomi

Iraku i pasur me naftë për pothuajse 30 vite përballet me ndërprerje të energjisë

Aktualisht, shumica e provincave të Irakut mund të sigurojnë vetëm disa orë energji elektrike në ditë,ndërsa tre provinca në rajonin e Qeverisë Rajonale Kurde në Irakun verior, respektivisht provincat Duhok, Sulaymaniyah dhe Erbil, mesatarisht 12 orë

İdiris Okuduci  | 08.07.2021 - Përdıtësım : 09.07.2021
Iraku i pasur me naftë për pothuajse 30 vite përballet me ndërprerje të energjisë

Ankara

Edhe pse Iraku është një vend i pasur me naftë, vendi nuk ka arritur të zgjidhë problemin e energjisë elektrike që për pothuajse 30 vite fillimisht është ndikuar nga një embargo dhe më pas nga korrupsioni, keqmenaxhimi dhe paqëndrueshmëria, shkruan Anadolu Agency (AA).

Kriza e energjisë elektrike ka demonstruar situatën me të cilën përballet Iraku në ofrimin e shërbimeve në të gjitha dimensionet e saj.

Sektori i energjisë elektrike para vitit 2003 iu nënshtrua neglizhencës masive, mirëmbajtjes joadekuate dhe plaçkitjes, ndërsa pas pushtimit të SHBA-së u la pas dore për shkak të viteve të korrupsionit, pavarësisht premtimeve të mëdha.

Ndërprerjet e energjisë gjatë temperaturave të larta të verës janë bërë madje një faktor që çon kryeministrat të japin dorëheqje dhe të ndryshohet ekuilibri politik.

Energjia elektrike po ashtu u përdor si një mjet shtypjeje nga vendet fqinje si Irani.

Më 2 korrik, edhe ministri i Energjisë Elektrike, Majid Mahdi Hantoush, dha dorëheqje për shkak të protestave, veçanërisht pas ndërprerjes pothuajse njëditore të energjisë në katër provinca në jug të vendit.

Arsyet e krizës së energjisë elektrike

Prodhimi i pamjaftueshëm, dështimi në përmbushjen e kërkesës paralelisht me rritjen e popullsisë, vendimi i administratës së Teheranit për të ndërprerë energjinë elektrike herë pas here për shkak të pamundësisë së Irakut për të paguar borxhet, mos arritja e importimit të energjisë elektrike nga vendet e Gjirit pasi rrjeti i Irakut është i lidhur vetëm me Iranin, si dhe sulmet e kryera nga grupi terrorist DEASH janë disa nga arsyet e kësaj krize të energjisë elektrike.

Energjia elektrike po ashtu konsiderohet si sektor më i korruptuar në vend pas sektorit të mbrojtjes.

Fushatat elektorale të të gjitha qeverive të formuara pas vitit 2003 kanë përfshirë zotime për të forcuar infrastrukturën e energjisë, përfshirë atë elektrike, por deri më tani nuk kanë përparuar në këtë çështje.

Aktualisht, shumica e provincave të Irakut mund të sigurojnë vetëm disa orë energji elektrike në ditë, ndërsa tre provinca në rajonin e Qeverisë Rajonale Kurde në Irakun verior, respektivisht provincat Duhok, Sulaymaniyah dhe Erbil, mesatarisht 12 orë.

Për pjesën tjetër të ditës, aktivizohen gjeneratorët e lagjeve me të cilat nuk mund të funksionojnë as kondicionerë.

Gjatë orëve kur temperaturat janë shumë të lartë, irakianët përpiqen të freskohen me helikë të qarkullimit të ajrit që konsumojnë pak energji elektrike dhe përdorin forma akulli të prodhuara në fabrika për pije të ftohta.

Si çdo verë, edhe këtë vit energjia elektrike është përsëri midis pikave kryesore të axhendës së qeverisë dhe vendit.

Pas një takimi të Këshillit të Ministrave më 3 korrik, kryeministri irakian, Mustafa al-Kadhimi, duke iu referuar krizës së energjisë elektrike tha se qeveria ka paguar çmimin për 17 vjet të politikave të gabuara dhe një humbje të pavetëdijshme të burimeve publike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.