Iraku bën thirrje për formimin e aleancës ushtarake islame për t’u përballur me politikat izraelite
Kryeministri irakian theksoi se bota islame ka “shumë leva” që mund të përdoren për të penguar Izraelin, si dhe paralajmëroi se “agresioni izraelit nuk do të ndalet te Katari”

Stamboll
Kryeministri irakian, Shia al-Sudani, ka bërë thirrje për formimin e një aleance ushtarake islame, duke theksuar se veprimet e fundit izraelite në Gaza dhe Katar kërkojnë përgjigje kolektive, transmeton Anadolu.
Kryeministri al-Sudani tha se sulmi ajror i të martës në Doha, i cili vrau pesë anëtarë të Hamasit dhe një oficer të sigurisë së Katarit, ishte një “shkelje tronditëse e ligjit ndërkombëtar” dhe një kujtesë se veprimet e Izraelit kërcënojnë siguirnë e të gjithë rajonit.
“Nuk ka asnjë arsye pse kombet muslimane nuk mund të formojnë një forcë të përbashkët të sigurisë për të mbrojtur veten”, tha al-Sudani për kanalin Al Jazeera, duke i nxitur vendet arabe dhe islame të ndërtojnë një partneritet gjithëpërfshirës politik, të sigurisë dhe të ekonomisë.
Komentet e tij vijnë teksa po bëhen përgatitje për një samit urgjent arabo-islam në Doha për të diskutuar pasojat e sulmit të Izraelit ndaj Katarit. Takimi gjithashtu pritet të shohë aktivizimin e një force të përbashkët ushtarake arabe të propozuar prej kohësh, një iniciativë e avancuar për herë të parë nga Egjipti gati një dekadë më parë.
Kryeministri irakian theksoi se bota islame ka “shumë leva” që mund të përdoren për të penguar Izraelin, si dhe paralajmëroi se “agresioni izraelit nuk do të ndalet te Katari”.
Ai gjithashtu theksoi atë që e përshkroi si vrasje sistematike në Gaza për gati dy vjet.
Katari është nikoqir i samitit të jashtëzakonshëm arabo-islam më 15 dhe 16 shtator në përgjigje të sulmit izraelit që shënjestroi udhëheqësit e Hamasit në Doha.
Sulmi në Doha goditi një kompleks banimi teksa udhëheqësit e Hamasit po diskutonin një propozim të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ku të paktën 64.900 palestinezë janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.