IOM: Të paktën 56 migrantë të vdekur, 132 të zhdukur pas tragjedisë së anijes në Jemen
Jemeni është një destinacion i zakonshëm për qindra migrantë të paligjshëm nga Briri i Afrikës, veçanërisht nga Somalia dhe Etiopia

Stamboll
Të paktën 56 migrantë humbën jetën dhe 132 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një anije që transportonte rreth 200 persona u përmbys në brigjet e provincës Abyan të Jemenit jugor, tha Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), transmeton Anadolu.
Midis viktimave 14 janë gra dhe shumë prej të vdekurve besohet se janë shtetas etiopianë. IOM tha se vetëm 12 të mbijetuar, të gjithë burra, janë shpëtuar.
Duke e përshkruar fundosjen e 3 gushtit si një "incident zemërthyes", agjencia e OKB-së theksoi nevojën urgjente për të adresuar rreziqet e migrimit të parregullt përgjatë Rrugës Lindore, e cila lidh Bririn e Afrikës me Jemenin.
IOM kërkoi një bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar dhe rajonal për të zgjeruar rrugët e sigurta dhe të rregullta të migracionit, për të përmirësuar operacionet e koordinuara të kërkim-shpëtimit, për të mbrojtur të mbijetuarit dhe për të mbështetur kthimin dhe riintegrimin e tyre të sigurt në vendet e tyre të origjinës.
"Ne i përgëzojmë autoritetet lokale për reagimin e tyre të shpejtë dhe përsërisim angazhimin tonë për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme ndëragjencore për të identifikuar dhe ndihmuar të mbijetuarit, për të gjetur trupat dhe për të ofruar mbështetje për familjet e prekura", tha IOM në një deklaratë.
Më parë, zyrtarët jemenas konfirmuan se dhjetëra trupa ishin gjetur dhe varrosur ndërsa shumë të tjerë mbetën të pagjetur pasi anija u përmbys për shkak të kushteve të këqija të motit.
Që nga fillimi i vitit 2025, IOM ka regjistruar më shumë se 350 vdekje dhe zhdukje të migrantëve përgjatë Rrugës Lindore, megjithëse numri i vërtetë besohet të jetë dukshëm më i lartë.
Jemeni është një destinacion i zakonshëm për qindra migrantë të paligjshëm nga Briri i Afrikës, veçanërisht nga Somalia dhe Etiopia, të cilët ndërmarrin këtë udhëtim të rrezikshëm me shpresën për të arritur në vendet e Gjirit për të kërkuar kushte më të mira jetese.