IOM: Mbi 81.000 civilë të zhvendosur për shkak të pasigurisë në El-Fasher të Sudanit
Organizata Ndërkombëtare e Migrimit raportoi rritje të ndjeshme të zhvendosjeve mes përshkallëzimit të pasigurisë pasi forcat paraushtarake RSF pushtuan qytetin El-Fasher
Kartum/Stamboll
Mbi 81.000 njerëz kanë ikur nga qyteti El-Fasher dhe fshatrat përreth në shtetin e Darfurit të Veriut në Sudan që prej 26 tetorit, për shkak të luftimeve dhe pasigurisë së vazhdueshme, bëri të ditur sot Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM), transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, agjencia e OKB-së tha se sistemi i saj i monitorimit të zhvendosjeve (Displacement Tracking Matrix) vlerëson se 81.817 persona janë zhvendosur nga El-Fasheri dhe zonat përreth, duke theksuar se shifrat janë “paraprake dhe mund të ndryshojnë për shkak të pasigurisë së vazhdueshme dhe dinamikës së shpejtë të zhvendosjes”.
Shumica e të zhvendosurve ndodhen ende brenda zonës administrative të El-Fasherit, ndërsa numër më i vogël është zhvendosur në Kabkabiya, Mellit, Kutum dhe Tawila në Darfurin e Veriut, shtoi IOM-i.
Shifra më të vogla zhvendosjesh janë regjistruar gjithashtu në shtete të tjera të Sudanit, përfshirë Kosti në Nilin e Bardhë, Ghbeish në Kordofanin Perëndimor, zona të Jebel Marras në Darfurin Qendror, Al-Junaynah Perëndimore dhe Kulbus në Darfurin Perëndimor, Shaeria në Darfurin Lindor dhe Jebeli Lindor dhe Al-Wihda në Darfurin e Jugut, sipas deklaratës.
Ekipet në terren raportuan “pasiguri ekstreme përgjatë rrugëve, duke penguar lëvizjen”, tha IOM-i, duke shtuar se situata “mbetet e tensionuar dhe e paqëndrueshme me pasiguri të vazhdueshme dhe lëvizje popullsie që vazhdojnë”.
Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) morën kontrollin e El-Fasherit, kryeqytetit të Darfurit të Veriut, një qytet strategjik në rajon, më 26 tetor dhe kryen masakra ndaj civilëve, sipas organizatave vendore dhe ndërkombëtare, duke nxitur paralajmërime se marrja e qytetit mund të çojë në një ndarje gjeografike të vendit të shkatërruar nga lufta.
Ndërkohë, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) paralajmëroi se nevojat e familjeve që ikin nga El-Fasheri drejt Tawilas “po rriten më shpejt se burimet e disponueshme”.
Në një deklaratë, agjencia tha se familjet që ikin nga dhuna mbërrijnë në Tawila “të rraskapitura, të uritura dhe në nevojë urgjente për ndihmë”, duke shtuar se po punon me partnerët për të ofruar ushqim terapeutik, ujë dhe shërbime shëndetësore për fëmijët.
“Por nevojat po rriten me një ritëm që tejkalon burimet aktuale, dhe ndihma ekzistuese nuk mjafton për t’i përmbushur ato”, u shpreh UNICEF-i.
Nga 18 shtetet e Sudanit, RSF-ja aktualisht kontrollon të pesë shtetet e rajonit Darfur në perëndim, përveç disa zonave veriore në Darfurin e Veriut që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Ushtria sudaneze kontrollon shumicën e 13 shteteve të mbetura në jug, veri, lindje dhe qendër, përfshirë kryeqytetin, Kartumin.
Që nga 15 prilli 2023, ushtria sudaneze dhe RSF-ja janë përfshirë në një luftë që ndërmjetësimet rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta ndalin. Konflikti ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
