Bota

Inxhinieri nigerian zhvillon pajisjen që siguron automjetet të punojnë me ujë

"Karburanti është shumë i shtrenjtë sot. Unë e përdor makinën time me ujë dhe nuk shpenzoj para për karburant", thotë inxhinieri nigerian, Auwal Abubakar

Adam Abu-bashal  | 29.08.2025 - Përdıtësım : 30.08.2025
Inxhinieri nigerian zhvillon pajisjen që siguron automjetet të punojnë me ujë Foto: Zulyadain Bello/AA

Kaduna

ADAM ABU BASHAL

Auwal Abubakar, një banor që jeton në rajonin Kaduna të Nigerisë, përballë rritjes së çmimeve të karburantit në vend, ka projektuar një pajisje që siguron që automjetet të punojnë me ujë.

Abubakar, i diplomuar në inxhinieri dizajni, zhvilloi një pajisje të ngjashme me një "gjenerator HHO (oksi-hidrogjen)" duke përdorur burimet e tij, i cili e shndërron ujin në gaz dhe i lejon automjetet të punojnë me ujë.

Pajisja që instalohet në motorin e automjetit, e shndërron ujin në gaz HHO përmes elektrolizës. Kjo i lejon automjetit të funksionojë ose tërësisht me hidrogjen ose duke u përdorur bashkë me karburantin, duke rezultuar në kosto më të ulëta, jetëgjatësi më të madhe të motorit dhe më pak emetime.

Pajisja që Abubakar zhvilloi për automjetet është e përshtatshme edhe për automjetet me benzinë ​​dhe ato me naftë. Sistemi përmirëson performancën e motorit, zvogëlon emetimet dhe zgjat jetëgjatësinë e motorit.

- Një ëndërr fëmijërie e shndërruar në teknologji

Abubakar, i cili vazhdon punën në punishten e tij në shtetin Kaduna dha deklaratë për Anadolu në lidhje me pajisjen që ai zhvilloi dhe ëndrrat e tij. Ai tha se që nga fëmijëria ka qenë i interesuar për zhvillimin e gjërave dhe se ëndrra e tij e fëmijërisë është shndërruar në teknologji.

Inxhinieri nigerian shpjegon se ka studiuar kodim dhe programim, por se e ka zhvilluar veten edhe në fushën e inxhinierisë mekanike dhe se deri më sot ka projektuar makina të ndryshme, përfshirë një makinë për përpunimin plastik.

- Pavarësisht dështimeve të shumta, ai nuk hoqi dorë kurrë

Abubakar vuri në dukje se puna e tij është e përqendruar në gjetjen e zgjidhjeve për rritjen e çmimeve të karburantit dhe ndotjen mjedisore në Nigeri. Ai shpjegoi se pas rreth tetë muajsh kërkimi dhe testimi, zhvilloi një projekt të veçantë për automjetet bazuar në parimin e elektrolizës së ujit, të ngjashëm me një gjenerator HHO.

"Kjo pajisje, duke e shndërruar ujin në hidrogjen dhe oksigjen siguron që ai të përdoret për procesin e djegies në motorë. Në këtë mënyrë automjetet mund të funksionojnë tërësisht me ujë ose të bëhen më efikase me karburantin ekzistues", shtoi ai.

Abubakar tha se ka dështuar disa herë gjatë procesit të zhvillimit të pajisjes, por nuk hoqi dorë kurrë.

Pasi tregoi se ka përdorur materiale tërësisht vendase në pajisjen e tij, Abubakar tha: "Sfida më e madhe gjatë këtij procesi ishte siguria. Duhet të jesh shumë i kujdesshëm kur punon me gaz, por unë nuk kisha pajisje profesionale sigurie. Pavarësisht kësaj, unë i vazhdova punimet".

Ai thekson se automjeti mund të udhëtojë deri në 1.500 kilometra me një mbushje të vetme, duke shtuar se kjo shpikje ofron alternativë të rëndësishme për shoferët që janë të vetëdijshëm për kostot.

- "Ëndrra ime është që në të ardhmen të shoh makina që punojnë me ujë në çdo anë të vendit"

Duke vënë në dukje se çmimet e gazit natyror dhe qymyrit në Nigeri rriten herë pas here, Abubakar tha se në projektet e tij fillestare ka zhvilluar soba që punojnë me vaj motori i përdorur dhe se këto produkte tërhoqën interes të konsiderueshëm nga banorët e lagjes.

Ai thotë se me rritjen e çmimeve të karburantit u përqendrua mbi gjeneratorin HHO. "Karburanti është shumë i shtrenjtë sot. Unë e përdor makinën time me ujë dhe nuk shpenzoj para për karburant. Ëndrra ime është që në të ardhmen të shoh makina që punojnë me ujë në çdo anë të vendit", u shpreh Abubakar.

- Nigeria importon karburant të përpunuar

Nigeria, një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, pavarësisht se është e pasur me burime nëntokësore, çmimet e karburantit përbëjnë problem serioz për popullatën.

Për shkak të mungesës së kapacitetit të mjaftueshëm të rafinerisë për përpunimin e produkteve të naftës, Nigeria importon sasi të madhe të karburantit të përpunuar.

Kjo situatë rrit kostot, por edhe barrën e popullatës veçanërisht në sektorin e transportit. Rritja e kostove të energjisë dhe problemet mjedisore në të gjithë Afrikën i bëjnë zgjidhjet inovative edhe më të vlefshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.