Intensifikohen luftimet në qytetet Pokrovsk dhe Kupyansk, Rusia përpiqet të rrethojë forcat ukrainase
Në luftën që vazhdon prej më shumë se tre vjetësh e gjysmë, veçanërisht dy muajt e fundit, është vërejtur se luftime të rënda po zhvillohen në qytetin Pokrovsk të rajonit të Donetskut dhe në qytetin Kupyansk dhe rrethinat e tij në rajonin e Kharkivit
Kiev
DAVIT KACHKACHISHVILI
Përplasjet më të ashpra në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës gjatë javëve të fundit janë intensifikuar në qytetet Pokrovsk dhe Kupyansk të Ukrainës, raporton Anadolu.
Në luftën që vazhdon prej më shumë se tre vjetësh e gjysmë, veçanërisht dy muajt e fundit, është vërejtur se luftime të rënda po zhvillohen në qytetin Pokrovsk të rajonit të Donetskut dhe në qytetin Kupyansk dhe rrethinat e tij në rajonin e Kharkivit.
Raportohet se në disa zona të Pokrovskut, që ka rëndësi të madhe për shkak se shërben si një “nyje transporti” në Donetsk, gjenden forca ruse.
Kievi pretendon se pjesa më e madhe e Pokrovskut mbetet nën kontrollin e Ukrainës.
Ndërsa forcat ukrainase mbrojnë Pokrovskun, i cili ka rëndësi kritike logjistike për ta, ushtarët rusë që ndodhen në disa lagje të qytetit po përpiqen të avancojnë.
Sipas zhvillimeve të fundit, linja e frontit është afruar edhe drejt qytetit të rëndësishëm Kostiantynivka, në rajonin e Donetskut.
Ashtu si në rajone të tjera, ushtria ruse po përpiqet edhe këtu të formojë një rrethim për të izoluar forcat ukrainase.
Në ditën e 1364-të të luftës, ndërsa ushtria ruse përpiqet të rrethojë forcat ukrainase të vendosura në Pokrovsk dhe në qytetin e afërt Mirnograd, zyrtarë të lartë ukrainas thonë se ditët e fundit nuk ekziston rrezik rrethimi.
Në rajonin e Kharkivit, në qytetin Kupyansk, raportohet se ndodhen njëkohësisht njësi të të dy ushtrive.
Forcat ukrainase po vazhdojnë kundërsulmet kundër trupave ruse në Kupyansk, një qytet që rimorën nën kontroll në vjeshtën e vitit 2022 dhe që ka rëndësi strategjike në vijën mbrojtëse drejt qytetit të Kharkivit.
Pala ukrainase thotë se kontrollon pjesën më të madhe të qytetit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar gjatë javëve të fundit se përplasjet më të rënda po zhvillohen në qytetin me rëndësi strategjike Pokrovsk në Donetsk.
– Aktivitetet luftarake të Rusisë në rajonin e Zaporizhias janë intensifikuar
Veçanërisht drejt fundit të tetorit, ushtria ruse rriti sulmet për të marrë Pokrovskun dhe Mirnogradin, duke shënuar përparime në front. Nga fillimi i nëntorit, ajo ka intensifikuar më tej aktivitetet luftarake në rajonin e Zaporizhias.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se që nga 30 tetori ka marrë nën kontroll vendbanimet Rovnopolye, Malaya Tokmachka, Yablokovo, Novouspenskoye, Rybnoe, Uspenovka dhe Krasnogorskoye.
Njësi të inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Forcat e Operacioneve Speciale, Policia Ushtarake (VSP), Shërbimi i Sigurisë (SBU) dhe njësi të tjera të Forcave të Mbrojtjes së Ukrainës kanë formuar grupe të përbashkëta që nga fillimi i nëntorit për të zmbrapsur sulmet ruse në Pokrovsk.
Qeveria ukrainase vendosi të dërgojë forca shtesë në rajonin e Zaporizhias për të frenuar përparimin rus.
Për të ndaluar avancimin rus të javëve të fundit, ushtria ukrainase kishte filluar një kundërsulm në tetor drejt qytetit Dobropilya në Donetsk.
Zelenskyy kishte njoftuar se deri në fillim të javës së parë të nëntorit, forcat ukrainase kishin avancuar 2,5 deri në 3 kilometra në atë zonë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
