Instituti izraelit i mjekësisë ligjore konfirmon se trupi i dorëzuar nga Hamasi ishte i Shira Bibas
Pas testeve të gjera mjeko-ligjore, Instituti Ligjor ‘Abu Kabir’ konfirmoi se eshtrat e dorëzuara në Izrael i përkisnin Bibas

Istanbul
Qendra Kombëtare e Mjekësisë Ligjore e Izraelit ka konfirmuar se trupi i një pengu izraelit të dorëzuar nga Hamasi të premten ishte i Shira Bibas, transmeton Anadolu.
Kryqi i Kuq e pranoi trupin e saj nga Gaza të premten vonë, para se t’ia dorëzonte ushtrisë izraelite.
Siç raportuan ‘Jerusalem Post’ dhe ‘Channel 12’, pas testeve të gjera mjeko-ligjore, Instituti Ligjor ‘Abu Kabir’ konfirmoi se eshtrat e dorëzuara në Izrael i përkisnin Bibas.
Megjithatë, autoritetet izraelite akoma nuk janë prononcuar zyrtarisht për këtë çështje.
Fraksionet e rezistencës palestineze në Gaza dorëzuan mbetjet e katër pengjeve izraelite, të Bibas, të dy fëmijëve të saj, Kfir dhe Ariel, si dhe të pengut Oded Lifshitz.
Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më vonë pretendoi se Hamasi kishte kthyer trupin e një gruaje nga Gaza në vend të Bibas.
Në përgjigje, Hamasi tha se ekziston mundësia e një gabimi ose ngatërrimi në trupa pas bombardimeve izraelite.
Marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që filloi më 7 tetor të vitit 2023, e cila ka vrarë të paktën 48 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.