Indonezia dënon sulmet izraelite në Liban dhe kërkon mbledhje urgjente të KS-OKB-së
Indonezia dënoi sot sulmet izraelite ndaj Libanit ndërsa kërkoi takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vrasjen e tre paqeruajtësve të saj në Liban
Stamboll
Indonezia dënoi sot sulmet izraelite ndaj Libanit ndërsa kërkoi takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vrasjen e tre paqeruajtësve të saj në Liban, transmeton Anadolu.
"Përsëritja e sulmeve të tilla të tmerrshme kundër paqeruajtësve indonezianë brenda një kohe të shkurtër është krejtësisht e papranueshme", tha Ministria e Jashtme në një deklaratë të postuar në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
"Kjo nuk mund të trajtohet si një ngjarje e izoluar, por pasqyron një mjedis sigurie që po përkeqësohet me shpejtësi në jug të Libanit, ku operacionet e vazhdueshme ushtarake izraelite i kanë vënë paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara në rrezik të madh", thuhet në deklaratë.
Më herët të hënën, ministri i Jashtëm indonezian, Sugiono bëri thirrje për takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vrasjen e tre paqeruajtësve të saj në Liban.
"Siguria dhe mbrojtja e paqeruajtësve të OKB-së është e panegociueshme dhe duhet të mbështetet në çdo kohë", tha Sugiono gjatë një telefonate me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, sipas llogarisë së tij në X.
Sugiono tha se vlerësonte ngushëllimet e Guterresit dhe gatishmërinë e OKB-së për të bashkëpunuar ngushtë me Indonezinë, duke shtuar se u thirr një takim urgjent i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe "një hetim i shpejtë, i plotë dhe transparent".
Dy paqeruajtës indonezianë u vranë në një shpërthim që synonte automjetin e tyre në jug të Libanit të hënën, duke shënuar incidentin e dytë të tillë brenda 24 orëve. Të dielën, një tjetër paqeruajtës indonezian u vra kur një predhë goditi një pozicion të Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) pranë qytetit Adshit al-Qusayr.
Izraeli ka goditur Libanin me sulme ajrore dhe ka nisur një ofensivë tokësore në jug që nga një sulm ndërkufitar nga Hezbollahu më 2 mars. Rajoni ka qenë në gatishmëri që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri më tani më shumë se 1.340 njerëz, përfshirë ish-udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë ndërsa ka prishur tregjet globale dhe aviacionin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
