Bota

Indonezi: Përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e tokës në Sumatrën e Veriut lënë 43 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur

Sipas autoriteteve, shumë rrugë janë bllokuar, qindra shtëpi janë dëmtuar dhe objekte publike janë përmbytur

Shpetim Hiseni  | 27.11.2025 - Përdıtësım : 27.11.2025
Indonezi: Përmbytjet e mëdha dhe rrëshqitjet e tokës në Sumatrën e Veriut lënë 43 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur Foto: Kiki Cahyadi/AA

Shkup

Ditë me reshje të pandërprera shiu kanë shkaktuar përmbytje të rënda dhe rrëshqitje dheu në disa rajone të provincës Sumatra e Veriut në Indonezi, duke rezultuar në dëme të mëdha dhe viktima të shumta, transmeton Anadolu.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Katastrofave (BNPB), të paktën pesë rajone janë prekur rëndë – Humbang Hasundutan, Deli Serdang, Pakpak Barat dhe Tapanuli Tengah. Shumë rrugë janë bllokuar, qindra shtëpi janë dëmtuar dhe objekte publike janë përmbytur.

Policia Rajonale e Sumatrës së Veriut (Polda Sumut) raportoi se numri i viktimave po rritet vazhdimisht. Deri më sot, 43 persona janë konfirmuar të vdekur. Përveç kësaj, 81 persona janë lënduar dhe 88 të tjerë rezultojnë të zhdukur, duke nxitur kërkime të intensifikuara nga ekipet e shpëtimit.

Operacionet e shpëtimit po kryhen përmes kërkimeve tokësore dhe patrullimeve përgjatë lumenjve me varka gome. Autoritetet thanë se terreni i vështirë, rrjedhat e forta të ujit dhe kushtet e paqëndrueshme të tokës kanë ngadalësuar procesin e evakuimit.

Zyrtarët u kanë bërë thirrje banorëve që jetojnë pranë brigjeve të lumenjve dhe zonave të rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut të qëndrojnë vigjilentë, pasi reshjet e dendura pritet të vazhdojnë. Qeveritë lokale kanë filluar ngritjen e strehimoreve emergjente dhe shpërndarjen e ndihmave për familjet e prekura.

Reshjet e dendura dhe përmbytjet kanë dëmtuar gjithashtu 330 shtëpi dhe kanë zhvendosur 2.244 persona në disa zona, sipas autoriteteve lokale.

Në Malajzinë fqinje, autoritetet raportuan të mërkurën se 21.834 persona janë zhvendosur nga përmbytjet në disa shtete veriore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın