Bota

Indinjatë në Gjermani pasi kopshti zoologjik eutanazon 12 babunë për shkak të mbipopullimit

Eutanazimi i 12 babunëve të shëndetshëm të Guinesë në Kopshtin Zoologjik në Nuremberg ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe reagime ligjore në Gjermani, pasi institucioni njoftoi se nuk kishte më hapësirë për t’i strehuar kafshët

Erbil Başay  | 30.07.2025 - Përdıtësım : 31.07.2025
Indinjatë në Gjermani pasi kopshti zoologjik eutanazon 12 babunë për shkak të mbipopullimit

Berlin

Eutanazimi i 12 babunëve të shëndetshëm të Guinesë në Kopshtin Zoologjik në Nuremberg ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe reagime ligjore në Gjermani, pasi institucioni njoftoi se nuk kishte më hapësirë për t’i strehuar kafshët, transmeton Anadolu.

Kopshti zoologjik konfirmoi se strehimi i babunëve ishte projektuar për maksimumi 25 kafshë, ndërsa numri i tyre e kishte tejkaluar këtë kapacitet. Sipas kopshtit, vendimi për t’i eliminuar kafshët erdhi pas “vitesh vlerësimesh dhe kërkimesh për zgjidhje alternative.”

“Jemi të vetëdijshëm për këtë. Megjithatë, ky hap ishte i pashmangshëm”, tha kopshti, duke e pranuar shqetësimin e publikut.

Organizatat për të drejtat e kafshëve kanë dënuar ashpër vendimin.

Ilona Wojahn, kryetare e degës bavareze të Federatës Gjermane për Mbrojtjen e Kafshëve, tha se ishte e tronditur nga vrasja e babunëve, duke theksuar se “të drejtat e kafshëve po shkelen brutalisht në Nuremberg.”

Paulina Kuhn, koordinatore për kafshë të egra në të njëjtën organizatë, e quajti vrasjen të pajustifikuar dhe sipas saj “nuk kishte asnjë arsye të arsyeshme”.

Ajo konfirmoi se do të ngrihet padi penale, duke u bazuar në shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Kafshëve.

Organizatat Pro Wildlife dhe Shoqata Gjermane për Ligjin e Mbrojtjes së Kafshëve (DJGT) gjithashtu kanë ndërmarrë hapa ligjor kundër drejtuesve të kopshtit zoologjik.

“Këto vrasje mund të ishin shmangur. Sipas mendimit tonë, kjo është e paligjshme”, tha Laura Zodrow nga organizata Pro Wildlife.

Ajo akuzoi kopshtin për mos ndjekje të alternativave të vlefshme, siç është zhvendosja e babunëve në një strehimore apo zgjerimi i hapësirës së tyre.

“Në të njëjtën kohë, kopshti po investon miliona euro për të marrë kafshë të reja. Ky standard i dyfishtë është i papranueshëm”, shtoi ajo.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.