I zgjedhuri i Trumpit për ambasador në OKB: UNRWA-ja duhet të shpërbëhet
"UNRWA në Gaza, me stafin e saj të përfshirë në masakrën e 7 tetorit, shkollat e saj që mësojnë urrejtje antisemite, duhet të çmontohet", u tha Waltz senatorëve

Washington DC
Mike Waltz, kandidati për ambasador në OKB i presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar se agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) duhet të shpërbëhet, transmeton Anadolu.
"UNRWA në Gaza, me stafin e saj të përfshirë në masakrën e 7 tetorit, shkollat e saj që mësojnë urrejtje antisemite, duhet të çmontohet", u tha Waltz senatorëve.
Waltz u përball me ligjvënësit në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për herë të parë që nga shkarkimi i tij si këshilltar i sigurisë kombëtare, pasi pa dashje shtoi një gazetar në një bisedë private në ‘Signal’ ku u diskutuan plane të ndjeshme ushtarake.
Waltz tha se UNRWA "thjesht jo vetëm që duhet të mos financohet, të cilën presidenti e ka vënë në vend me urdhrin e tij ekzekutiv, por duhet edhe të çmontohet". Ai shtoi se agjencia nuk mund të ketë një rol humanitar në Rripin e Gazës.
"Mund të bisedojmë se kush dhe çfarë mund të marrë përsipër këto role humanitare, por sigurisht që nuk duhet të jetë UNRWA", shtoi ai.
Izraeli zbatoi një ndalim mbi aktivitetet e UNRWA-së në fund të muajit janar. Agjencia u detyrua të lirojë zyrën e saj kryesore në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor të pushtuar dhe autoritetet izraelite më vonë urdhëruan mbylljen e gjashtë shkollave të drejtuara nga UNRWA-ja në qytet.
Më 28 tetor 2024, parlamenti izraelit miratoi dy ligje që ndalonin UNRWA-në të veprojë në Izrael, duke i hequr privilegjet dhe imunitetet e saj dhe duke ndaluar kontaktin formal me agjencinë.
Izraeli ka pretenduar se punonjësit e agjencisë morën pjesë në një sulm të Hamasit në fund të vitit 2023, një akuzë që agjencia e ka mohuar. OKB-ja ka përsëritur angazhimin e UNRWA-së për neutralitet dhe ka hedhur poshtë ndalimin e Izraelit, duke theksuar rolin jetësor të agjencisë në ofrimin e ndihmës humanitare.
Derisa lufta izraelite në Gaza u intensifikua, palestinezët janë bërë gjithnjë e më të varur nga UNRWA-ja, organizata më e madhe ndërkombëtare humanitare që i shërben popullsisë.
Duke iu drejtuar kritikave ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, Waltz tha se e kupton krizën humanitare në Gaza.
"Por do ta them vazhdimisht, nëse Hamasi do të lëshonte armët, nëse do të dorëzohej, nëse do të ndalonte së sakrifikuari popullin e vet, luftimet do të ndaleshin sot", shtoi ai.
I pyetur nëse do të angazhohej të përdorë veton amerikane për të bllokuar "rezolutat e njëanshme anti-Izrael" në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Waltz konfirmoi angazhimin e tij.
"Sigurisht, do të punoj ngushtë me presidentin dhe sekretarin (Marco Rubio) për ato vota, por po, do ta bëj këtë angazhim", tha Waltz.
Waltz gjatë deklaratës së tij tha se planifikon ta bëjë OKB-në "përsëri të madhe".
OKB-ja ka nevojë për reforma, tha ai, duke shtuar se "para së gjithash, ne duhet të nxisim reforma”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.