Bota

I riu me autizëm që i kthen në notë muzikore tingujt që dëgjon, synon të japë koncerte

Samet Ege Yürekli, një 17-vjeçar me autizëm nga Afyonkarahisar në Turqi i cili ka aftësinë t'i kthejë në notë muzikore të gjitha tingujt që dëgjon, mund të luajë rreth 500 pjesë në piano që i ka mësuar përmendësh

Arif Yavuz  | 13.05.2025 - Përdıtësım : 13.05.2025
I riu me autizëm që i kthen në notë muzikore tingujt që dëgjon, synon të japë koncerte

Afyonkarahisar

ARİF YAVUZ

Samet Ege Yürekli, një 17-vjeçar me autizëm nga Afyonkarahisar në Turqi i cili ka aftësinë t'i kthejë në notë muzikore të gjitha tingujt që dëgjon, mund të luajë rreth 500 pjesë në piano që i ka mësuar përmendësh.

Samet Ege, djali i dytë i çiftit Yürekli, İbrahim (54) dhe Kamile (45), u diagnostikua me autizëm në spitalin shtetëror Afyonkarahisar kur ishte 2-vjeç.

Pasi mbaroi shkollën fillore në Ankara në një klasë të arsimit special, Samet Ege përfundoi shkollën e mesme në qytezën Tınaztepe të distriktit Sinanpaşa, ku familja e tij u vendos 4 vjet më parë.

Gjimnazisti Samet Ege, ka autizëm dhe kujtesë të fortë vizuale për shkak të "sindromës Savant" të tij. Ai i mësoi notat muzikore me udhëzimin e mësuesit të tij të muzikës në shkollën e mesme dhe më vonë filloi të luante piano vetë.

Edhe pse kaloi provimin e aftësisë në Shkollën e Mesme të Arteve të Bukura Afyonkarahisar, Samet Ege vazhdon shkollimin në Departamentin e Teknologjive të Informacionit të Shkollës së Mesme Anadolu me programe të shumëfishta Tınaztepe me preferencën e familjes së tij.

Familja e nxënësit të klasës së 10-të, Samet Ege i cili gjithashtu ka marrë mësime pianoje për një farë kohe, dëshiron që djali i tyre të studiojë në konservatorin shtetëror dhe të japë koncerte.


- "Ai mund të shkruajë dhe të lexojë notat muzikore"

Babai İbrahim Yürekli tha për Anadolu se djali i tij Samet Ege i luajti në piano notat e një pjese që e mësoi dhe i regjistroi në memorien e tij përmendësh për një javë.

Ai tha se djali i tij mund të luajë afërsisht 500 pjesë përmendësh në piano. "Derisa udhëton në makinë, Samet Ege fillon të luajë notat e muzikës që dëgjon. Ai mund t'i shndërrojë titrat e një reklame që dëgjon në nota. Të njëjtën muzikë që dëgjon, mund ta luajë të njëjtën në piano. Ai mund t'i shkruajë dhe t'i lexojë notat. Pas provës, ai e mëson përmendësh atë pjesë muzikore. Pas kësaj ai mund ta luajë përmendësh gjatë gjithë kohës dhe nuk e harron më", tha Yürekli.

Yürekli thotë se Samet Ege ka edhe dy vite të tjera të shkollës së mesme, pas të cilave synon të regjistrohet në konservatorin shtetëror. Ai shton se djali i tij është gjithmonë pranë tij.


- "Ege tani është bërë artisti dhe krenaria e qytetit tonë"

Nëna Kamile Yürekli tha se djali i saj Samet Ege ka përpara shembujt si Buğra Çankır dhe Koral Erdeniz.

Ajo thekson se Samet Ege është i vetmi person që di të luajë piano në qytetin e tyre me një popullsi prej afro 3 mijë banorësh. "Mësuesit tanë i japin djalit tim detyra me pianon në shkollë gjatë festave zyrtare dhe aktiviteteve. Ne e ushtrojmë në shtëpi dhe ai luan në shkollë. Samet Ege tani është artisti dhe krenaria e qytetit tonë. Kam sakrifikuar gjithçka për të për vite me radhë. Kur shikoj prapa, jam e lumtur që shoh se kam arritur diçka. Djali im ka interes të lartë për muzikën. Ai mund të hyjë në konservator dhe të përparojë më tej", shtoi nëna Kamile.


- "Ndonjëherë një botë mund të ndryshojë vetëm me një notë"

Presidentja e Konfederatës Kombëtare të Autizmit, Fatma Kilci Kavas tha se disa individë me autizëm mund të kenë aftësi të jashtëzakonshme.

Ajo tërhoqi vëmendjen se aftësia muzikore është një prej tyre. "Samet Ege është një nga fëmijët tanë me këtë aftësi. Ndonjëherë një botë mund të ndryshojë me një notë të vetme. Ege ndryshoi botën e këtij qyteti me një notë të vetme. Ai këtu është i vetmi fëmijë i talentuar i yni që mund të luajë piano. Fëmijët si Samet Ege duhet të diagnostikohen herët, të zbulohen aftësitë e tyre dhe të marrin trajnim në përputhje me rrethanat", tha Kavas duke shtuar:

"Interesin për muzikën tek individët me autizëm ne nuk e shohim vetëm si art. Ne e shohim atë si një mjet socializimi, terapie dhe vetëzhvillimi për individin. Në këtë pikë ne duam që ëndrrat e Samet Ege të bëhen realitet me një arsim të mirë. Në këtë pikë edhe familja e tij e ka planifikuar jetën e tyre sipas djalit të tyre".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.