I dyshuari për sulmin vdekjeprurës në shkollën në Kanada identifikohet si adoleshent transgjinor
Zyrtari i policisë kombëtare kanadeze thotë se i dyshuari 18-vjeçar Jesse Van Rootselaar kishte probleme me shëndetin mendor
Hamilton
Autoritetet kanadeze të sigurisë kanë identifikuar të dyshuarin për sulmin vdekjeprurës me armë në një shkollë në British Columbia si një adoleshent transgjinor 18-vjeçar me emrin Jesse Van Rootselaar, transmeton Anadolu.
Zv/komisari i Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP) në British Columbia, Dwayne McDonald, u tha gazetarëve në një konferencë për media në Surrey se policia po korrigjon informacionet e mëparshme lidhur me numrin e viktimave.
“Dua të korrigjoj disa informacione të ndara dje dhe të sqaroj se në total nëntë persona kanë humbur jetën si rezultat i këtij incidenti”, tha McDonald.
Ai konfirmoi se një viktimë femër, për të cilën fillimisht ishte raportuar se kishte ndërruar jetë, është ende gjallë.
“Ajo është gjallë dhe ishte një nga dy viktimat femra që u transportuan me helikopter në spital. Të dyja mbeten në gjendje të rëndë”, tha ai.
McDonald e identifikoi të dyshuarin si “një femër 18-vjeçare me emrin Jesse Van Rootselaar”, duke theksuar se policia kishte pasur më parë ndërhyrje në banesën e familjes.
“Disa prej këtyre thirrjeve kishin të bënin me çështje të shëndetit mendor”, shtoi ai.
Më herët, policia njoftoi se i dyshuari u gjet i vdekur brenda shkollës si pasojë e “një dëmtimi të vetëshkaktuar”.
I pyetur mbi identitetin gjinor të të dyshuarit, McDonald tha: “Mund të them se Jesse ka lindur biologjikisht mashkull dhe rreth gjashtë vite më parë nisi tranzicionin drejt gjinisë femërore, duke u identifikuar si femër, si në aspektin social ashtu edhe publik”.
Ai shtoi se i dyshuari “ka braktisur shkollën rreth katër vite më parë dhe nuk ishte nxënës në institucionin ku ndodhi sulmi”.
McDonald gjithashtu konfirmoi se dy viktima të gjetura në një banesë lokale kishin lidhje familjare me të dyshuarin.
“Viktima femër e rritur është nëna e të dyshuarit, ndërsa i mituri mashkull është vëllai i njerkut”, tha ai.
Rreshterja Vanessa Munn nga RCMP deklaroi se viktimat në shkollë përfshijnë “një edukatore 39-vjeçare, tre nxënëse 12-vjeçare dhe dy nxënës meshkuj të moshave 12 dhe 13 vjeç”.
Dy viktimat e tjera në banesë ishin “një grua 39-vjeçare dhe një djalë 11-vjeçar”.
Hetimet mbeten në zhvillim, ndërsa autoritetet po vazhdojnë të shqyrtojnë rrethanat e sulmit.
Pas tragjedisë, kryeministri Mark Carney urdhëroi që flamujt në ndërtesat qeveritare në të gjithë vendin të ulen në gjysmështizë.
Në Dhomën e Komunave, Carney dhe ligjvënësit mbajtën një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
