Bota

I dërguari i OKB-së për Sirinë, situatën në Idlib e quan "katastrofë"

Pedersen tha se civilët në Idlib po paguajnë “një çmim shumë të lartë” për luftën kundër terrorizmit. Ai theksoi normalizimin e situatës në Idlib si element kyç për kthimin e refugjatëve në Siri

Elena Teslova   | 24.01.2020
I dërguari i OKB-së për Sirinë, situatën në Idlib e quan "katastrofë"

Moskē

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Geir Pedersen, situatën humanitare në provincën Idlib, të goditur nga konflikti, e quajti “një katastrofë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim në Moskë me Sergey Lavrov, ministrin rus të Punëve të Jashtme, Pedersen tha se civilët në Idlib po paguajnë “një çmim shumë të lartë” për luftën kundër terrorizmit. Ai theksoi normalizimin e situatës në Idlib si element kyç për kthimin e refugjatëve në Siri.

“Problemi është se më shumë se 50 për qind e qytetarëve të Sirisë u larguan nga shtëpitë e tyre. Pra, ajo që ne duam të arrijmë tani është krijimi i situatës ku ata do të fillojnë të kthehen. Atëherë, na duhet procesi politik dhe stabilizimi i situatës në Idlib. Ne i kuptojmë sfidat kur bëhet fjalë për të luftuar terrorizmin, por po ashtu gjithmonë thamë se ajo që shohim tani, çmimi që paguan popullata civile, është shumë i lartë”, deklaroi Pedersen.

Ai bëri të ditur se 700 mijë sirianë janë zhvendosur që nga prilli i vitit të kaluar dhe se mbi 1.500 civilë të tjerë janë vrarë.

I dërguari i OKB-së vlerësoi formimin e Komitetit kushtetues sirian si “një hap të rëndësishëm përpara”.

“Formimi i komitetit kushtetues për herë të parë ishte kur të dyja palët u pajtuan për një dokument të shkruar. Kjo është baza për t’u bashkuar dhe për të biseduar. Po ashtu ishte një mënyrë që të dyja palët të njohin njëra-tjetrën”, tha Pedersen.

Ai shtoi se bashkëveprimet brenda formatit janë një mënyrë “për të ndërtuar besim midis palëve”.

“Ne e kuptojmë se kjo do të marrë kohë. Nuk shpejtojmë për këtë dhe shpresojmë se do të ketë efekt në procesin më të gjerë politik dhe në përmirësimin e jetës së sirianëve që jetojnë në vend dhe ne nxisim kthimin e refugjatëve”, theksoi Pedersen.

Po ashtu paralajmëroi vizitën e tij në Damask për të mërkurën e ardhshme, ku ai do të zhvillojë bisedime me qeverinë siriane.

Lavrov, nga ana e tij, u përqendrua në aspektet ekonomike dhe humanitare të krizës.

“Ne e vlerësojmë qasjen që ju dhe ekipi juaj morët për të krijuar kushtet që negociatorët të krijojnë kulturën e dialogut, të krijojnë besim, ky është një element shumë i rëndësishëm për zgjidhjen. Ne nuk e dramatizojmë vetë faktin se disa muaj pas Komisionit kushtetues nuk janë arritur rezultate të shkëlqyera, kjo nuk pritej. Ne do të mbështesim në çdo mënyrë përpjekjet tuaja që synojnë krijimin e kushteve për përparim gjatë seancës së ardhshme të komisionit editorial, sa herë që e shihni të përshtatshme për të nisur ngjarjen”, deklaroi Lavrov.

Në muajin shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë de-eskaluese në të cilët aktet e agresionit janë të ndaluara.

Që atëherë, mbi 1.300 civilë janë vrarë atje në sulmet nga regjimi sirian i Bashar al-Assadit dhe forcave ruse, pasi armëpushimi vazhdoi të shkelet.

Mbi një milion sirianë janë zhvendosur afër kufirit turk për shkak të sulmeve intensive gjatë vitit të kaluar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın