Bota

I dërguari i OKB-së: Angazhimi saudit për marrëveshjen e Jemenit është “kyç”

Të hënën, Griffith zhvilloi bisedime në Riad me zëvendësministrin saudit të Mbrojtjes, Khalid bin Salman, për të diskutuar situatën në Jemenin e shkatërruar nga lufta

Ekip   | 12.01.2021
I dërguari i OKB-së: Angazhimi saudit për marrëveshjen e Jemenit është “kyç”

Ankara

I dërguari i OKB-së në Jemen, Martin Griffiths, sot tha se angazhimi saudit për të arritur zgjidhje politike të konfliktit jemenas është kyç, raporton Anadolu Agency (AA).

Të hënën, Griffith zhvilloi bisedime në Riad me zëvendësministrin saudit të Mbrojtjes, Khalid bin Salman, për të diskutuar situatën në Jemenin e shkatërruar nga lufta.

"Diskutuam mënyra për të kapërcyer pengesat me të cilat përballen perspektivat për paqe në Jemen", tha Griffiths në Twitter.

Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të mbretërisë dhe rajonit për të arritur "një marrëveshje inkluzive të negociuar politike, të udhëhequr nga Jemeni", drejt përfundimit të konfliktit "në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme".

Griffiths nuk dha detaje të tjera në lidhje me takimin.

Bin Salman, nga ana e tij, tha se diskutimet e tij me të dërguarin e OKB-së u përqendruan në reagimin humanitar të mbretërisë në Jemen, midis zhvillimeve të tjera.

"E sigurova të dërguarin për angazhimin e Mbretërisë së Arabisë Saudite për të arritur një rezolutë gjithëpërfshirëse politike sipas tri referencave, të cilat do të sigurojnë paqen dhe stabilitetin për Jemenin dhe rajonin", shkroi ai në Twitter.

Më 6 janar, Griffiths zhvilloi bisedime me presidentin e Jemenit, Abd Rabbo Mansour Hadi, në Riad, gjatë së cilës i dërguari i OKB-së dënoi një sulm me raketa kundër qeverisë së sapoformuar të Jemenit në aeroportin e Adenit dhe përsëriti angazhimin për t'i dhënë fund përfundimisht konfliktit të zgjatur "përmes bisedimeve”.

Për vite, OKB-ja ka bërë përpjekje të përsëritura diplomatike për të arritur një zgjidhje politike të konfliktit në Jemen pa sukses të konsiderueshëm në terren.

Të hënën, qeveria e Jemenit mirëpriti një plan të SHBA-së për të shpallur grupin Houthi si organizatë terroriste.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın