Huthit pretendojnë se me Iranin dhe Hezbollahun kanë kryer sulm me raketa ndaj Izraelit
Grupi jemenas thotë se ka shënjestruar "objektiva të ndjeshme" në jug të Izraelit duke përdorur raketa balistike
Sana
Grupi Huthi i Jemenit tha se sot ka shënjestruar objektiva të ndjeshme në jug të Izraelit me raketa balistike në një operacion të përbashkët me Iranin dhe grupin libanez Hezbollah, transmeton Anadolu.
Grupi njoftoi sulmin në një deklaratë televizive të dhënë nga zëdhënësi ushtarak, Yahya Saree. "Forcat tona kryen operacion të tretë ushtarak duke shënjestruar objektiva të ndjeshme të armikut izraelit në Palestinën jugore të pushtuar duke përdorur një breshëri raketash balistike", tha Saree.
"Sulmi është kryer në koordinim me vëllezërit tanë në Iran dhe Hezbollahun në Liban dhe ka arritur me sukses objektivat e tij", tha ai pa dhënë detaje të mëtejshme.
Përshkallëzimi pasoi një paralajmërim nga Huthit të premten vonë për një "ndërhyrje të mundshme të drejtpërdrejtë ushtarake" nëse aleanca të reja bashkohen me SHBA-në dhe Izraelin kundër Iranit ose nëse Deti i Kuq përdoret për operacione që synojnë Teheranin.
Më parë, grupi jemenas kishte nisi sulme me raketa dhe dronë në Izrael dhe në korridoret detare të Detit të Kuq në përgjigje të ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza, ku më shumë se 72 mijë palestinezë janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar sulmet ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë më shumë se 1.340 njerëz deri më tani, përfshirë ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei ndërsa Irani është përgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima, dëme në infrastrukturë dhe ndërprerje të tregjeve dhe aviacionit global.
