Human Rights Watch kërkon hetim për krime lufte pas sulmit vdekjeprurës ndaj një shkolle vajzash në Iran
Sulmi i 28 shkurtit raportohet se vrau të paktën 160 persona, shumë prej tyre nxënëse, gjatë një vale të madhe sulmesh të kryera në të gjithë Iranin në kuadër të operacionit ushtarak SHBA-Izrael
Ankara
Human Rights Watch ka bërë thirrje për një hetim mbi sulmin vdekjeprurës ndaj një shkolle fillore vajzash në jug të Iranit, duke theksuar se sulmi duhet të hetohet si një krim i mundshëm lufte, transmeton Anadolu.
Sulmi i 28 shkurtit raportohet se vrau të paktën 160 persona, shumë prej tyre nxënëse, gjatë një vale të madhe sulmesh të kryera në të gjithë Iranin në kuadër të operacionit ushtarak SHBA-Izrael.
“Ata që janë përgjegjës për një sulm të paligjshëm duhet të mbahen përgjegjës, përfshirë ndjekjen penale të kujtdo që është përgjegjës për krime lufte”, tha Sophia Jones, studiuese e burimeve të hapura në Laboratorin e Hetimeve Digjitale të organizatës.
Sipas raportimit të Al Jazeera, Jones tha se një hetim i plotë është i nevojshëm për të përcaktuar nëse përgjegjësit ishin të vetëdijshëm për praninë e shkollës.
“Nevojitet një hetim i shpejtë dhe i plotë për këtë sulm, përfshirë nëse ata që janë përgjegjës duhet ta kishin ditur se aty ndodhej një shkollë dhe se ajo do të ishte e mbushur me fëmijë dhe mësuesit e tyre para mesditës”, theksoi ajo.
Sulmi ndaj shkollës ndodhi ditën e parë të fushatës ushtarake që shënjestroi objekte në të gjithë Iranin.
Një hetim i Al Jazeera zbuloi se shënjestrimi i shkollës me gjasë ka qenë “i qëllimshëm”. The New York Times raportoi gjithashtu se sulmi “me shumë gjasë” u krye nga SHBA-ja.
I pyetur dje nëse SHBA ishte përgjegjëse për sulmin, presidenti amerikan, Donald Trump tha: “Jo, sipas mendimit tim, bazuar në atë që kam parë, kjo është bërë nga Irani”. Por ai nuk paraqiti prova lidhur me këtë pretendim.
Human Rights Watch tha se ata që janë përgjegjës për sulme të paligjshme duhet të mbahen përgjegjës pas një hetimi të plotë.
Tensionet rajonale janë rritur ndjeshëm që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm në shkallë të gjerë kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri tani më shumë se 1.000 persona, përfshirë liderin suprem iranian, Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme të gjera, duke shënjestruar baza amerikane, objekte diplomatike dhe personel ushtarak në të gjithë rajonin, si dhe disa qytete izraelite.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
