Bota

"Human Rights Watch" bën thirrje për veprime për të mbrojtur të drejtat e civilëve në Gaza

"Plani me 20 pika nuk adreson drejtpërdrejt çështjet e të drejtave të njeriut ose përgjegjësinë për krimet e rënda të kryera që nga 7 tetori 2023", thuhet në deklaratë

Betül Yılmaz  | 06.10.2025 - Përdıtësım : 06.10.2025
"Human Rights Watch" bën thirrje për veprime për të mbrojtur të drejtat e civilëve në Gaza

Stamboll

Organizata Human Rights Watch (HRW) u bëri thirrje sot qeverive të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të mbrojtur të drejtat e popullit palestinez në Rripin e Gazës, pa pritur zbatimin e një plani të armëpushimit, raporton Anadolu.

Grupi për të drejtat me seli në New York tha në një deklaratë se plani i paraqitur nga presidenti i SHBA-së Donald Trump për të arritur armëpushim në Rripin e Gazës "nuk zëvendëson masat urgjente që qeveritë duhet të ndërmarrin për të mbrojtur civilët dhe për të mbështetur drejtësinë pas dy vitesh abuzimesh të rënda në Izrael dhe Palestinë".

"Plani me 20 pika nuk adreson drejtpërdrejt çështjet e të drejtave të njeriut ose përgjegjësinë për krimet e rënda të kryera që nga 7 tetori 2023", thuhet në deklaratë.

Organizata ka dokumentuar shkelje të shumta të ligjeve të luftës që përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë shfarosjen, aktet e gjenocidit dhe shkeljet e urdhrave detyrues të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).

HRW u bën thirrje qeverive të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të hequr kufizimet e paligjshme mbi hyrjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës dhe për të vendosur sanksione ndaj Tel Avivit, përfshirë ndalimin e transferimeve të armëve, pezullimin e marrëveshjeve tregtare me Izraelin dhe lëshimin e ndalimeve të udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve për zyrtarët izraelitë që janë përfshirë në mënyrë të besueshme në shkeljet e rënda të vazhdueshme.

"Të gjitha qeveritë duhet të veprojnë për të parandaluar mizori të mëtejshme dhe për të mbrojtur universalitetin e të drejtave të njeriut", tha grupi.

Më 29 shtator, Trump zbuloi një plan 20-pikësh, i cili përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, armëpushim, çarmatimin e grupit palestinez Hamas dhe rindërtimin e Gazës.

Një delegacion i Hamasit mbërriti në Egjipt të dielën për negociata indirekte me Izraelin, pasi deklaroi se ishte dakord në parim me planin.

Ushtria izraelite që nga tetori 2023 ka vrarë në Rripin e Gazës mbi 67.100 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapjen e sëmundjeve.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.