HRANA: Numri i të vdekurve nga trazirat e fundit në Iran rritet në mbi 7.000
Sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut (HRANA), 52.941 persona janë arrestuar dhe 7.002 persona, përfshirë 214 personel sigurie, janë vrarë në incidentet që ndodhën gjatë demonstratave në Iran
Ankara
Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA, tha të mërkurën se numri i të vdekurve nga protestat e fundit në Iran është rritur në 7.002, transmeton Anadolu.
Sipas HRANA-s, 52.941 persona janë arrestuar dhe 7.002 persona, përfshirë 214 personel sigurie, janë vrarë në incidentet që ndodhën gjatë demonstratave në pjesë të ndryshme të vendit.
HRANA vuri në dukje se 11.730 raste të tjera janë ende duke u shqyrtuar. Agjencia kishte raportuar më parë numrin e të vdekurve si 6.984.
- Protestat në Iran
Protestat në Iran filluan më 28 dhjetor 2025 në Pazarin e Madh të Teheranit, të udhëhequra nga tregtarët, për shkak të zhvlerësimit të shpejtë të monedhës vendase kundrejt valutave të huaja dhe thellimit të vështirësive ekonomike. Këto protesta u përhapën në të gjithë vendin.
Më 8 janar, autoritetet bllokuan aksesin në internet për shkak të përleshjeve që u shënuan gjatë demonstratave që u intensifikuan në kryeqytet, Teheran. Forcat e sigurisë ndërhynë më 8-9 janar dhe i shtypën protestat.
Në një deklaratë më 21 janar, Fondacioni i Iranit për Çështjet e Dëshmorëve dhe Veteranëve, duke cituar Organizatën e Mjekësisë Ligjore të vendit, njoftoi se në trazira kanë humbur jetën 3.117 persona, përfshirë personelin e sigurisë dhe civilët.
Fondacioni tha se 2.427 nga viktimat ishin forca sigurie dhe qytetarë civilë që dyshohet se u vranë nga "grupet e armatosura terroriste", ndërsa nuk u dhanë detaje të mëtejshme në lidhje me 690 të vdekurit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
