Holandë, policia konfrontohet me demonstruesit në protestën kundër bastisjes izraelite të anijes Madleen
Demonstruesit i bënë thirrje qeverisë holandeze të sigurojë mbrojtje për misionet humanitare dhe të kërkojë qasje të papenguar për shpërndarjen e ndihmave për popullsinë e rrethuar në Gaza

Hagë
Një demonstratë pro-palestineze është zhvilluar jashtë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës në Hagë, pas bastisjes nga Izraeli të anijes humanitare Madleen që përpiqej të thyente bllokadën izraelite ndaj Gazës, raporton Anadolu.
Protestuesit kërkonin lirimin e menjëhershëm të anijes, e cila po transportonte furnizime humanitare për në Gaza, si dhe lirimin e aktivistëve në bord, përfshirë një shtetas holandez.
Protestuesit shënuan hyrjen e ministrisë holandeze me simbole dhe slogane pro-palestineze, të tilla si “Nuk është luftë, është gjenocid” dhe “Holanda përfiton nga gjenocidi”.
Shumë prej tyre valëvitnin flamuj palestinezë dhe mbanin pankarta me mesazhe të tilla si “Nëse qeveritë dështojnë, ne lundrojmë”, “Ndaloni bashkëpunimin holandez”, “Palestina e Lirë” dhe “Ndaloni gjenocidin”.
Demonstruesit gjithashtu i bënë thirrje qeverisë holandeze të sigurojë mbrojtje për misionet humanitare dhe të kërkojë qasje të papenguar për shpërndarjen e ndihmave për popullsinë e rrethuar në Gaza.
Protesta përfundoi në konfrontime pasi policia holandeze ndërhyri me forcë, duke çuar në përleshje me demonstruesit.
Anija Madleen e ndaluar nga Izraeli ishte pjesë e një iniciative humanitare ndërkombëtare që mbante furnizime thelbësore për popullin e Gazës, përfshirë formula për foshnje, miell, oriz, pelena, produkte sanitare për gratë, komplete për shkripëzimin e ujit, furnizime mjekësore, paterica dhe proteza për fëmijë.
Në bord ndodhen gjithsej 12 persona, përkatësisht 11 aktivistë dhe një gazetar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.