Holanda kundërshton vendimin e Izraelit për zgjerimin e operacioneve ushtarake në Gaza
"Ajo që nevojitet tani është një armëpushim, më shumë ndihmë humanitare, Hamasi të lirojë të gjitha pengjet dhe të gjendet një zgjidhje përmes negociatave", tha ministri i Jashtëm holandez, Veldkamp

Stamboll
Ministri i Jashtëm i Holandës, Caspar Veldkamp deklaroi se vendimi i Izraelit për të zgjeruar operacionet e tij ushtarake në Rripin e Gazës është një "hap i gabuar", transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën e mediave sociale X, Veldkamp tha se situata humanitare në Gaza është në përmasat katastrofike dhe duhet të përmirësohet urgjentisht.
"Vendimi i qeverisë (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu për të intensifikuar operacionet e saj në Gaza është një veprim i gabuar. Ky vendim nuk do të kontribuojë as në përmirësimin e situatës humanitare dhe as nuk do të ndihmojë pengjet të kthehen në shtëpi", theksoi Veldkamp.
Ai vuri në dukje se qeveria holandeze ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të qartë dhe se Gaza u përket palestinezëve. "Ajo që nevojitet tani është një armëpushim, më shumë ndihmë humanitare, Hamasi të lirojë të gjitha pengjet dhe të gjendet një zgjidhje përmes negociatave", tha Veldkamp.
Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi një plan të ri që parashikon pushtimin e qytetit të Gazës i cili ndodhet në veri të Rripit të Gazës. Kabineti izraelit i sigurisë mbajti një takim mbrëmë ku diskutoi mbi pushtimin e të gjithë Rripit të Gazës.
Në një intervistë për "Fox News" para mbledhjes së kabinetit, Netanyahu tha se synojnë të marrin nën kontroll të gjithë Gazën.