Hebrenjtë fanatikë bastisin xhaminë Al-Aksa
Dhjetëra hebrenj fanatikë hynë në xhaminë Al-Aksa në grupe, organizuan turne provokuese në oborret e saj dhe kryen ceremoni fetare nën mbrojtjen e forcave izraelite

Stamboll
Nën mbrojtjen e policisë izraelite, hebrenjtë fanatikë bastisën xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, qindra policë izraelitë u vendosën në Qytetin e Vjetër të Kudsit, veçanërisht në portat e xhamisë Al-Aksa. Në hyrjet e Qytetit të Vjetër dhe xhamisë Al-Aksa u shtuan masat ushtarake dhe u vendosën kufizime për palestinezët që dëshironin të kryejnë adhurimet.
Më vonë, dhjetëra hebrenj fanatikë hynë në xhaminë Al-Aksa në grupe, organizuan turne provokuese në oborret e saj dhe kryen ceremoni fetare nën mbrojtjen e forcave izraelite.
- Bastisjet e xhamisë Al-Aksa
Sipas marrëveshjes së paqes të nënshkruar mes Izraelit dhe Jordanisë më 26 tetor 1994, xhamia Al-Aksa ndodhet nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, e cila është e lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë.
Që nga viti 2003 e deri më sot, izraelitët nën shoqërimin e policisë hyjnë në vendet e shenjta me vendimin e njëanshëm të Izraelit, pa lejen e Administratës. Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit këto hyrje i cilëson si bastisje dhe thekson se po shkelet sovraniteti i muslimanëve.
Izraelitët po kryejnë gërmime nën kompleksin e xhamisë Al-Aksa e cila përfshin xhaminë e Kiblës dhe xhaminë e Kupolës së Shkëmbit, si dhe një muze, medrese dhe një oborr të madh, duke pretenduar se aty ndodhen "rrënojat e tempullit të Solomonit".
Qeveria izraelite mbron idenë se po ruhet "status quo"-ja historike në xhaminë Al-Aksa në të cilën "mund të kryejnë adhurime vetëm muslimanët dhe anëtarët e feve të tjera vetëm mund të zhvillojnë vizita".
Por, kolonët fanatikë hebrenj janë kapur shpesh në kamera duke u lutur dhe duke kryer rituale fetare gjatë bastisjeve që ata kryejnë në Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë izraelite.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.