Bota

Hammadi, i cili humbi familjen e tij në sulmin izraelit, përpiqet të arrijë te mbetjet nën rrënoja

Hammadi i cili u plagos rëndë në sulm, është përpjekur të arrijë te mbetjet e të dashurve të tij nën rrënoja. Që nga dita kur ka filluar t'i kërkojë janë bërë gati 180 ditë, duke përdorur një kazmë dhe sitë

Ajdin Aliji  | 20.01.2026 - Përdıtësım : 20.01.2026
Hammadi, i cili humbi familjen e tij në sulmin izraelit, përpiqet të arrijë te mbetjet nën rrënoja

Gaza

Mahmoud Ismail Hammadi, palestinezi 45-vjeçar që jeton në lagjen Sabra të qytetit të Gazës, humbi gruan e tij shtatzënë dhe gjashtë fëmijët në një sulm ajror izraelit që synonte shtëpinë e tij më 15 dhjetor 2023, raporton Anadolu.

Hammadi, i cili u plagos rëndë në sulm, është përpjekur të arrijë te mbetjet e të dashurve të tij nën rrënoja. Që nga dita kur ka filluar t'i kërkojë janë bërë gati 180 ditë, duke përdorur një kazmë dhe sitë me ndihmën e të afërmve.

Në pamundësi për të siguruar pajisjet e nevojshme për të arritur te mbetjet nën rrënoja në Rripin e Gazës, i cili është nën bllokadën izraelite, Hammadi po kërkon mes mbetjeve të familjes së tij me ndihmën e një kazme dhe site të thjeshtë.

"Si të gjithë të tjerët, isha ulur në shtëpi me familjen time. Në orën 11:30 të natës, Izraeli shënjestroi shtëpinë tonë. Humba gruan dhe gjashtë fëmijët e mi ndërsa unë u plagosa rëndë. Kur plagët e mia u shëruan pak, u ktheva në rrënojat e shtëpisë sime dhe pashë këmbën e vëllait tim. Me ndihmën e të rinjve, ne arritëm të nxirrnim trupat e tij dhe të familjes së tij, falë Zotit. Nuk munda ta gjeja familjen time, tani po i kërkoj", tha Hammadi.

Ai thotë se e njohu gruan e tij shtatzënë nga kockat e fetusit në barkun e saj. "Ajo ishte 9 muajshe shtatzënë në fillim të luftës dhe nuk mundi të lindte në spital për shkak të sulmeve. Ne i nxorëm gruan time dhe foshnjën e saj nga rrënojat", tha Hammadi.

Më tej Hammadi thotë se ai, ashtu si të plagosurit e tjerë rëndë, po pret hapjen e kufijve për trajtim. "Për rreth 180 ditë, kam kërkuar pa u lodhur nën rrënoja për trupat e fëmijëve të mi. Fal namazin e mëngjesit dhe filloj punën, duke vazhduar deri në namazin e mbrëmjes. Ndonjëherë vazhdoj të kërkoj edhe në errësirë", u shpreh ai.

Hammadi tha se pas më shumë se dy vitesh gjenocidi të kryer nga Izraeli, ka dalë një shkëndijë shprese dhe ai fillon të kërkojë eshtrat e familjes së tij.

Ai po përpiqet të nxjerrë anëtarët e familjes së tij me metoda primitive. Hammadi bën thirrje për ndihmë për baballarët në Gaza që nuk kanë mundësi të kujdesen për fëmijët e tyre ose të sigurojnë ushqim për familjet e tyre.

Hammadi kritikon botën për zbatimin e standardeve të dyfishta në Rripin e Gazës, duke thënë se Izraeli nuk mund të tolerojë as palestinezët që duan të varrosin siç duhet anëtarët e familjeve të tyre dhe se askush nuk e kundërshton këtë shkelje të të drejtave të njeriut.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın