Bota

Hamasi thotë se marrëveshja për armëpushim në Gaza është "në fazat finale"

Hamasi përmes një deklarate njoftoi se mbajti një seri konsultimesh me liderët e fraksioneve "për t'i informuar ata mbi përparimin e bërë në negociatat që vazhdojnë në Doha"

Rania R.a. Abushamala  | 14.01.2025 - Përdıtësım : 15.01.2025
Hamasi thotë se marrëveshja për armëpushim në Gaza është "në fazat finale"

Gaza

Grupi i rezistencës palestineze Hamas tha se marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve në Gaza është në "fazat e saj përfundimtare", raporton Anadolu.

Në një deklaratë, Hamasi nënvizoi nevojën "për të vazhduar konsultimet me krerët e fraksioneve palestineze derisa marrëveshja të finalizohet".

Grupi palestinez tha se mbajti një seri konsultimesh me liderët e fraksioneve "për t'i informuar ata mbi përparimin e bërë në negociatat që vazhdojnë në Doha".

Hamasi tha se liderët e fraksioneve theksuan rëndësinë e "gatishmërisë gjithëpërfshirëse kombëtare për fazën e ardhshme dhe nevojat që burojnë nga ajo", pa dhënë më shumë detaje.

Sipas deklaratës, krerët e fraksioneve shprehën shpresën se ky raund negociatash do të përfundonte me "një marrëveshje të qartë dhe gjithëpërfshirëse".

Katari më herët gjatë ditës njoftoi se negociatat për armëpushim në Gaza janë në fazën e "detajeve të tyre përfundimtare" dhe se shpallja e një marrëveshjeje është "e afërt".

"Një draft-marrëveshje i është dorëzuar Hamasit dhe Izraelit dhe janë adresuar pengesat kryesore për çështjet kryesore të diskutueshme midis dy palëve", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, në një konferencë për media në Doha.

Burimet palestineze thanë më herët se një marrëveshje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve në Gaza është "pothuajse gati" dhe mund të nënshkruhet deri të premten.

Burimet, duke folur për Anadolu në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të bisedimeve, thanë se ishte bërë përparim në finalizimin e marrëveshjes.

Dje, transmetuesi publik izraelit KAN tha se kabineti izraelit i sigurisë mund të mblidhet të martën për të miratuar marrëveshjen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın