Bota

Hamasi pohon se do të duhet kohë për të kthyer trupat e të gjitha pengjeve izraelite

"Vonesa në kthimin e trupave të pengjeve izraelite ka ndodhur për shkak të refuzimit të Izraelit për lejimin e hyrjes së pajisjeve të shpëtimit", tha Hamasi në një deklaratë

Jomaa Younis, Mehmet Nuri Uçar  | 17.10.2025 - Përdıtësım : 17.10.2025
Hamasi pohon se do të duhet kohë për të kthyer trupat e të gjitha pengjeve izraelite

Stamboll

Hamasi tha se kthimi i trupave të pengjeve izraelite ka shënuar vonesa për shkak të refuzimit të Izraelit për të lejuar pajisje në rajon, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim, Hamasi tha se "Disa trupa të pengjeve izraelite ishin bllokuar në tunele dhe nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga bombardimet izraelite. Kjo vonesë rrjedh nga refuzimi i Izraelit për të lejuar pajisje shpëtimi në Gaza".

Hamasi deklaroi se i ka kthyer të gjitha trupat që mundi të gjente, por ende nuk janë siguruar mjetet dhe pajisjet të cilat janë nevojshme për të nxjerrë trupat e mbetura. "Ne theksojmë se qeveria izraelite është plotësisht përgjegjëse për këtë vonesë", thotë Hamasi.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qaseem kritikoi standardet e dyfishta, duke thënë se komuniteti ndërkombëtar nuk ka treguar të njëjtin shqetësim për trupat e dhjetëra mijëra palestinezëve të bllokuar nën rrënojat në Gaza, siç ka treguar për trupat e disa ushtarëve izraelitë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se ka marrë trupat e 120 palestinezëve të liruar nga Izraeli, por se ata mbërritën pa identifikim dhe se metodat e identifikimit janë kryer me mënyra primitive.

Ekipet ende nuk janë në gjendje të mbërrijnë tek qindra trupa për shkak të mungesës së pajisjeve të rënda. Izraeli ka shkatërruar kryesisht infrastrukturën dhe automjetet e shpëtimit gjatë ofensivës së tij dyvjeçare kundër Rripit të Gazës.

Hamasi akuzon qeverinë e Netanyahut për vonesën e marrëveshjes, mbajtjen mbyllur të kalimit kufitar Rafah dhe kufizimin e hyrjes së ndihmës humanitare.

Sipas zyrës për mediat të qeverisë së Gazës, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, Izraeli ka lejuar hyrjen e vetëm 653 kamionëve me ndihma. Marrëveshja përcaktonte që në Gaza të hynin çdo ditë nga 600 kamionë me ndihma, përfshirë karburant dhe ushqim.

Për shkak të sulmeve që Izraeli nisi më 8 tetor 2023, janë vrarë 67.967 palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra ndërsa janë plagosur 170.179 të tjerë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın