Bota

Hamasi: Komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë urgjentisht ndaj katastrofës humanitare në Gaza

Hamasi thekson nevojën që komuniteti ndërkombëtar, vendet rajonale dhe të gjithë njerëzit e lirë të botës të ndërmarrin veprime për t'i dhënë fund krizës humanitare në Gaza

Mehmet Nuri Uçar  | 17.11.2025 - Përdıtësım : 17.11.2025
Hamasi: Komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë urgjentisht ndaj katastrofës humanitare në Gaza

Istanbul

Hamasi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të "ndërmarrë veprime urgjente" duke tërhequr vëmendjen mbi katastrofën humanitare në thellim në Rripin e Gazës për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të Izraelit pavarësisht armëpushimit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim, Hamasi thekson nevojën që komuniteti ndërkombëtar, vendet rajonale dhe të gjithë njerëzit e lirë të botës të ndërmarrin veprime menjëherë për t'i dhënë fund krizës humanitare që rëndohet gjithnjë e më shumë në Gaza.

"Populli i Gazës është privuar nga qasja në ushqim, ilaçe, ujë të pastër, tenda dhe strehim për shkak të gjenocidit dyvjeçar dhe se sistemi i kujdesit shëndetësor është pothuajse plotësisht i shkatërruar", thuhet në deklaratën e Hamasit.

Deklarata thekson se kushtet e dimrit dhe shirat e rrëmbyeshëm kanë përkeqësuar kërcënimin për civilët dhe se pushtuesi izraelit është përgjegjës për shkeljen e marrëveshjes, vazhdimin e sulmeve të tij dhe pengimin e rrjedhës së ndihmës humanitare.


- Presioni ndërkombëtar mbi Izraelin duhet të rritet

"Izraeli pushtues ka shkelur vazhdimisht marrëveshjen për përfundimin e luftës duke vazhduar sulmet e tij. Duke mbajtur pikat e kalimit të mbyllura, ai ka penguar ndihmën humanitare dhe mjekësore të arrijë në Gaza", thuhet në deklaratën ku potencohet se "Izraeli mban përgjegjësi të plotë" për këto praktika.

Deklarata u bën thirrje vendeve garantuese, palëve në marrëveshje dhe u kërkon atyre të sigurohet rritja e presionit mbi Izraelin, zbatimi i plotë i protokollit humanitar dhe veçanërisht për hapjen menjëherë të kalimit kufitar Rafah për të lejuar furnizimet me ushqim, ilaçe, tenda dhe strehim emergjent në Gaza.

Pasi vihet në dukje rëndësia e lejimit të daljes së pacientëve dhe lëvizjes dypalëshe të civilëve, deklarata thekson se heshtja dhe mosveprimi i komunitetit ndërkombëtar po e përkeqësojnë më tej katastrofën humanitare në Gaza.

"Përfundimi i katastrofës humanitare do të jetë i pamundur pa siguruar rrjedhë të vazhdueshme dhe të papenguar të ndihmës humanitare për civilët në Gaza, pa përmbushjen e nevojave të tyre për strehim dhe pa hapur pikat kufitare për kalimet", thuhet mes tjerash në deklaratë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.