Bota

Guvernatorja e New York-ut për sulmin ndaj Salman Rushdie: "Pena do të triumfojë mbi thikën"

Hochul, në fjalimin e saj gjatë vizitës në qendrën e trajnimit në Chautauqua në perëndim të New York-ut, ku Rushdie u godit me thikë nga i dyshuari Hadi Matar, tha se dënon sulmin ndaj shkrimtarit me prejardhje indiane

Mücahit Oktay  | 15.08.2022 - Përdıtësım : 15.08.2022
Guvernatorja e New York-ut për sulmin ndaj Salman Rushdie: "Pena do të triumfojë mbi thikën" Foto: Tayfun Coşkun / AA

New York

Në një fjalim në Institutin Chautauqua, ku Salman Rushdie, autor i librit "Vargjet Satanike", u sulmua me thikë, guvernatorja e New York-ut, Kathy Hochul, duke iu referuar lirisë së shprehjes, tha se "pena do të triumfojë gjithmonë mbi thikën", transmeton Anadolu Agency (AA).

Hochul, në fjalimin e saj gjatë vizitës në qendrën e trajnimit në Chautauqua në perëndim të New York-ut, ku Rushdie u godit me thikë nga i dyshuari Hadi Matar, tha se dënon sulmin ndaj shkrimtarit me prejardhje indiane.

“Të flasësh me zë të lartë është në ADN-në tonë, kështu që mençuria do të mbizotërojë gjithmonë mbi injorancën, toleranca gjithmonë do të triumfojë mbi urrejtjen, guximi do të triumfojë gjithmonë mbi frikën dhe pena do të triumfojë gjithmonë mbi thikën”, tha Hochul.

Hochul falënderoi punonjësit e institucionit të cilët rrezikuan duke u hedhur mbi sulmuesin për të shpëtuar Rushdie dhe theksoi se Instituti Chautauqua ka një histori rreth 150-vjeçare për lirinë e mendimit dhe të drejtat e njeriut dhe se ky vend mund të ketë qenë posaçërisht zgjedhur për të kryer sulmin në fjalë.

"Si guvernatore juaja, dua të them se New York-u do të ngrihet gjithmonë për të mbrojtur lirinë e fjalës. Ne e dënojmë këtë sulm frikacak ndaj Salman Rushdie", tha ajo.

Guvernatorja theksoi gjithashtu se lëvizjet radikale janë shtuar kohët e fundit dhe se ata po punojnë për një "program monitorimi të mediave sociale" për të parandaluar sulmet terroriste kundër shtetit.

Sulmi

Rushdie, i cili ka jetuar për një kohë të gjatë në New York, u sulmua me thikë nga Hadi Matar i lindur në Kaliforni më 12 gusht, teksa po dilte në podium për të mbajtur një leksion në Institutin Chautauqua pranë Buffalo-s.

Rushdie, i cili pësoi më shumë se dhjetë plagë me thikë, duke përfshirë një në qafë, u dërgua me helikopter në Spitalin e Qendrës së Kirurgjisë UPMC Hamot, i cili është rreth 40 minuta larg me makinë, dhe iu nënshtrua një operacioni.

Menaxheri i Rushdie, Andrew Wylie, i cili bëri një deklaratë me shkrim për New York Times, deklaroi se shkrimtari britanik me origjinë indiane ka kaluar rrezikun për jetë, por se mëlçia dhe një krah i tij ishin dëmtuar rëndë nga goditjet me thikë dhe se ai mund të humbiste njërin sy.

Në mbrëmjen e së njëjtës ditë, policia dhe ekipet e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) kontrolluan shtëpinë e Matar-it në New Jersey. Ai pretendoi se ishte i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë në gjykatë dje.

I lindur në Kaliforni dhe 24-vjeç, Matar pritet të dalë sërish në gjykatë më 19 gusht.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın