Guvernatori i Kalifornisë paraqet një mocion emergjence për të bllokuar vendosjen e trupave të Trumpit në Los Angeles
“Sapo paraqita një mocion emergjence për të bllokuar vendosjen e paligjshme të Marinës dhe Gardës Kombëtare nga Trumpi në Los Angeles. Trump po e kthen ushtrinë amerikane kundër qytetarëve amerikanë”, tha Newsom

Houston
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka paraqitur një mocion për të bllokuar vendosjen e trupave federale nga presidenti Donald Trump në Los Angeles për të trajtuar protestat e vazhdueshme të imigracionit në Kaliforni, transmeton Anadolu.
“Sapo paraqita një mocion emergjence për të bllokuar vendosjen e paligjshme të Marinës dhe Gardës Kombëtare nga Trumpi në Los Angeles. Trump po e kthen ushtrinë amerikane kundër qytetarëve amerikanë”, shkroi Newsom në platformën sociale X.
Pothuajse 4 mijë trupa të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa amerikanë janë vendosur në Los Angeles nën komandën e presidentit Trump.
Fillimisht, Trump dërgoi 2 mijë roje për të ndihmuar në mbrojtjen e ndërtesave dhe personelit federal në Los Angeles mes protestave kundër ndalimit të emigrantëve të dyshuar të paligjshëm në bastisjet e Zyrës së Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Demonstratat kanë vazhduar që nga e premtja dhe sipas forcave të rendit, gati 100 protestues u arrestuan vetëm gjatë të hënës.
Kërkesa e guvernatorit të Kalifornisë për të bllokuar përdorimin e forcës ushtarake nga presidenti amerikan është në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj ndryshimit të urdhrave të qeverisë për të përdorur Gardën Kombëtare të Kalifornisë për të mbështetur bastisjet e ICE-së.
Newsom tha se Pentagoni planifikonte të përdorë ushtarët e rojes, të cilët u federalizuan nga Trump gjatë fundjavës, për të filluar ofrimin e mbështetjes për operacionet e imigracionit, duke përfshirë mbajtjen e perimetrave të sigurt rreth zonave ku po zhvillohen bastisje dhe sigurimin e rrugëve për agjentët e imigracionit
"Gjykatat duhet të bllokojnë menjëherë këto veprime të paligjshme", tha Newsom.
Trump i ka justifikuar urdhrat e tij se trupat federale janë “të nevojshme sepse forcat lokale të rendit nuk po e bënin punën e tyre siç duhet për të ruajtur paqen”.
"Nëse nuk do të përfshiheshim, tani Los Angelesi do të digjej", u tha Trump gazetarëve në një konferencë për media.
Derisa presidenti nuk tha se i konsideron protestat një kryengritje, ai tha se do të përdorë Aktin e Kryengritjes nëse e sheh të nevojshme.
"Nëse do të ketë një kryengritje, unë me siguri do ta nisja atë", tha Trump.
"Këta janë kryengritës të paguar, këta janë shkaktarë problemesh të paguar", tha presidenti, por pa dhënë prova.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.