"Guinness World Records" ndërpret marrëdhëniet me Izraelin
Mediat izraelite thonë se Guinness ndaloi së pranuari materiale izraelite, duke bllokuar përpjekjen për të certifikuar një moment historik të dhurimit të veshkave për "arsye politike"
Kuds/Stamboll
"Guinness World Records" ka vendosur të ndalojë çdo marrëdhënie me Izraelin, duke bllokuar aplikimet e reja, përfshirë një kërkesë për të certifikuar një rekord izraelit në dhurimin e veshkave, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi "Channel 12", një grup vullnetar i quajtur "Gift of Life" (Dhuratë e Jetës), i cili promovon dhurimin e veshkave, iu drejtua Guinness-it për të regjistruar një arritje që përfshinte 2 mijë dhurues izraelitë që shpëtuan jetë përmes dhurimit të organeve.
Organizata tha se aplikimi "u refuzua për arsye politike".
Grupi ka paguar tarifat dhe ka organizuar një ceremoni në Kuds për të fotografuar të gjithë 2 mijë dhuruesit së bashku që të përfshiheshin në Guinness, por mori një postë elektronike nga Guinness që thoshte: "Aktualisht nuk po përpunojmë aplikime për rekorde nga Izraeli".
Që atëherë, tha transmetuesi, grupi është përpjekur të kuptojë arsyen dhe nëse vendimi mund të rishikohet, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Rabini Rachel Haber, e cila drejton organizatën, e quajti refuzimin e Guinness për të njohur këtë arritje "të papranueshme". Guinness nuk ka komentuar mbi këtë pretendim.
Ky raport vjen pasi Izraeli përballet me izolim të thelluar për shkak të luftës së tij dyvjeçare gjenocidale në Gaza, që ka shkaktuar bojkote akademike, kulturore, politike dhe sportive.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë të paktën 70 mijë palestinezë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në sulmet brutale që la enklavën në rrënoja. Sulmi u ndal përmes një marrëveshjeje armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor.
