Bota

Grupi terrorist YPG/SDF pushton një spital në Sheikh Maqsoud të Halepit, dëbon stafin mjekësor

Që nga e marta, YPG/SDF ka bombarduar lagje banimi, objekte civile dhe pozicione të Ushtrisë Siriane në Halep

Rania R.a. Abushamala  | 10.01.2026 - Përdıtësım : 10.01.2026
Grupi terrorist YPG/SDF pushton një spital në Sheikh Maqsoud të Halepit, dëbon stafin mjekësor Foto: AA/Arkiv

Stamboll

Ministria e Shëndetësisë e Sirisë njoftoi se organizata terroriste YPG/SDF ka pushtuar një spital në lagjen Sheikh Maqsoud të qytetit Halep dhe ka dëbuar stafin e tij mjekësor, transmeton Anadolu.

“Organizata terroriste PKK dhe grupet e armatosura të lidhura me të dëbuan stafin dhe mjekët nga Spitali Yassin në lagjen Sheikh Maqsoud të qytetit Halep dhe e shndërruan atë në një pikë ushtarake ku po fortifikohen, pasi u tërhoqën përpara Ushtrisë Arabe Siriane”, tha ministria, sipas agjencisë siriane të lajmeve SANA.

Ministria paralajmëroi civilët të mos i afrohen objektit, duke theksuar shqetësimet për sigurinë.

Një burim ushtarak tha për agjencinë SANA se një anëtar i YPG/SDF-së hodhi veten në erë pranë forcave të Ushtrisë Siriane në Sheikh Maqsoud të Halepit, pa u raportuar për viktima në radhët e ushtrisë.

Sot, Ushtria Siriane njoftoi se ka përfunduar një operacion të plotë të sigurisë në lagjen Sheikh Maqsoud, në mes të përshkallëzimit me grupin terrorist YPG/SDF.

Që nga e marta, YPG/SDF ka bombarduar lagje banimi, objekte civile dhe pozicione të Ushtrisë Siriane në Halep.

Sulmet kanë shkaktuar nëntë të vdekur dhe 55 të plagosur, si dhe kanë detyruar rreth 165 mijë banorë të zhvendosen nga lagjet Ashrafieh dhe Sheikh Maqsoud.

Më 10 mars të vitit 2025, presidenca siriane njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për integrimin e SDF-së në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.

Autoritetet thanë se SDF-ja në muajt pasues nuk ka treguar asnjë përpjekje për të përmbushur kushtet e marrëveshjes.

Qeveria ka intensifikuar përpjekjet për të ruajtur sigurinë në mbarë vendin që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024, pas 24 vitesh në pushtet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın