Grupi izraelit i të drejtave kritikon vendimet për Bregun Perëndimor, paralajmëron Netanyahun
"Kjo është një qeveri ekstreme dhe e papërgjegjshme që na çon drejt katastrofës", thotë "Peace Now" pasi Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi masa për të ndryshuar kuadrin ligjor dhe civil në Bregun Perëndimor të pushtuar
Kuds
Një grup i të drejtave të njeriut në Izrael, "Peace Now", ka paralajmëruar se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po ndjek një politikë "të rrezikshme dhe të papërgjegjshme" të çmontimit të Autoritetit Palestinez dhe imponimit të aneksimit de facto të Bregut Perëndimor, në vend që të përmbushë angazhimet e tij në lidhje me luftën në Gaza, transmeton Anadolu.
"Peace Now" lëshoi një deklaratë disa orë pasi Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi të dielën masa që synonin të ndryshonin kuadrin ligjor dhe civil në Bregun Perëndimor të pushtuar për të forcuar kontrollin izraelit.
Transmetuesi publik i Izraelit KAN raportoi se vendimet përfshijnë shfuqizimin e një ligji që ndalon shitjen e tokës palestineze te hebrenjtë në Bregun Perëndimor, hapjen e të dhënave të pronësisë së tokës dhe transferimin e autoritetit të lejeve të ndërtimit në një bllok vendbanimesh në Khalil nga komuna palestineze në administratën civile të Izraelit.
Masat gjithashtu zgjerojnë mbikëqyrjen dhe zbatimin izraelit në zonat e klasifikuara si Zona A dhe Zona B, duke përmendur shkelje të dyshuara që lidhen me ndërtimet pa leje, problemet e ujit dhe dëmtimin e vendeve arkeologjike dhe mjedisore.
Zgjerimi do të lejonte prishjet dhe sekuestrimet e pronës palestineze edhe në zonat e administruara civilisht dhe nga ana e sigurisë nga Autoriteti Palestinez.
"Netanyahu premtoi të largonte Hamasin në Gaza, por në praktikë ai zgjodhi të largonte Autoritetin Palestinez, të anulonte marrëveshjet që Izraeli nënshkroi dhe të na impononte aneksimin de facto - plotësisht kundër vullnetit të publikut, interesave të Izraelit dhe qëndrimit të qartë të Presidentit Trump", tha "Peace Now" në një deklaratë.
"Kjo është një qeveri ekstreme dhe e papërgjegjshme që na çon drejt katastrofës", shtoi ajo, duke u bërë thirrje "të gjitha forcave demokratike në Izrael" të veprojnë tani "në çdo mënyrë të mundshme" për ta ndaluar atë.
Grupi paralajmëroi se këto hapa do të çonin në përshkallëzim të rrezikshëm, rritje të izolimit ndërkombëtar dhe minimin e çdo horizonti politik të ardhshëm.
Grupi akuzoi Netanyahun se po përdor Kabinetin e Sigurisë për të miratuar vendime larg mbikëqyrjes dhe transparencës.
Izraeli ka intensifikuar operacionet e tij ushtarake në Bregun Perëndimor që nga nisja e luftës së tij në Rripin e Gazës më 8 tetor 2023, duke përfshirë vrasje, arrestime, zhvendosje të detyruar dhe zgjerim të vendbanimeve, një trajektore që palestinezët thonë se synon të hapë rrugën për aneksimin formal të territorit të pushtuar.
Të paktën 1.112 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor, rreth 11.500 janë plagosur dhe më shumë se 21.000 janë ndaluar gjatë asaj periudhe, sipas vlerësimeve palestineze.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli në një vendim historik në korrik 2024 dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
