Grupi Huthi i Jemenit thotë se ka shënjestruar Aeroportin “Ben Gurion” të Izraelit
Grupi pretendoi sulm të “suksesshëm” në Aeroportin “Ben Gurion” me raketë balistike hipersonike, ndërsa Izraeli thotë se raketa është interceptuar.

Sana/Stamboll
Grupi Huthi i Jemenit tha se ka lëshuar një raketë balistike hipersonike në Aeroportin “Ben Gurion” pranë Tel Avivit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të pararegjistruar, zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree, njoftoi se grupi ka “goditur me sukses Aeroportin e Lodit (Ben Gurion) në zonën e pushtuar të Jafës” me një raketë balistike hipersonike “Palestina 2”, duke shtuar se sulmi shkaktoi panik masiv dhe ndërprerje të fluturimeve.
Megjithatë, ushtria izraelite deklaroi se ka interceptuar një raketë të lëshuar nga Jemeni më herët në mbrëmje, ndërsa sirenat alarmuese u aktivizuan në gjithë zonën metropolitane të Tel Avivit dhe Kuds, duke detyruar miliona njerëz të strehoheshin.
Nuk u raportuan viktima ose dëme.
Huthit kanë intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj Izraelit që kur forcat izraelite rifilluan sulmet në Rripin e Gazës në mars pas dy muajsh armëpushim të paqëndrueshëm.
Që nga nëntori i vitit 2023, grupi ka synuar gjithashtu anijet tregtare në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe Detin Arabik në mbështetje të palestinezëve në Gaza, ku më shumë se 60.000 viktima janë vrarë në sulmet izraelite.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.