Grupi australian çon në gjykatë ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit
Duke filluar nga 10 dhjetori, platformat e rrjeteve sociale do të përballen me një "detyrim ligjor të parë në botë" për të parandaluar çdo person nën 16-vjeç të hapë ose të mbajë llogari
Istanbul
Një grup australian për mbrojtjen e të drejtave digjitale ka ngritur padi në Gjykatën e Lartë kundër ndalimit të afërt të rrjeteve sociale për ata nën 16-vjeç, me arsyetimin se ky ndalim është "shkelje e të drejtave të të rinjve për të qëndruar të lidhur dhe për të pasur qasje në informacion", transmeton Anadolu.
Projekti i Lirisë Digjitale (Digital Freedom Project) tha se mbledhja e të dhënave dhe dokumenteve të identifikimit për verifikimin e moshës paraqet "rrezik të madh për sigurinë e informacionit personal të australianëve në internet".
Siç raporton ABC, grupi për të drejtat digjitale argumenton se ndalimi është "jashtëzakonisht i tepruar" dhe shkel "të drejtën kushtetuese për lirinë e komunikimit politik". Paditësit janë 15-vjeçarët Noah Jones dhe Macy Neyland të cilët janë anëtarë "përfaqësues" të grupit të prekur nga ndalimi.
Dje, ministrja australiane e Komunikimeve, Anika Wells tha se qeveria federale mbetet e vendosur në angazhimin për të zbatuar ligjet. "Pavarësisht faktit që po marrim kërcënime dhe sfida ligjore nga njerëz me motive të fshehta, qeveria laburiste e (kryeministrit Anthony) Albanese mbetet fuqishëm në krah të prindërve dhe jo platformave", tha Wells.
"Ne nuk do të frikësohemi nga kërcënimet. Ne nuk do të frikësohemi nga kompanitë e mëdha teknologjike në emër të prindërve australianë. Ne qëndrojmë të vendosur", shtoi ajo.
Duke filluar nga 10 dhjetori, platformat e rrjeteve sociale, përfshirë Reddit, Kick, Facebook, Instagram, TikTok, X, Snapchat, Threads, Twitch dhe YouTube do të përballen me një "detyrim ligjor të parë në botë" për të parandaluar çdo person nën 16-vjeç të hapë ose të mbajë llogari.
Ligji australian për rrjetet sociale mban platformat përgjegjëse për zbatimin e kufijve të moshës, me gjoba deri në 32 milionë dollarë për mos zbatim të kësaj mase ndërsa përdoruesit dhe prindërit nuk përballen me ndonjë penalitet.
