Bota

Grupet palestineze do të dorëzojnë sonte mbetjet e një të burgosuri izraelit në Gaza

Hamasi dhe Xhihadi Islamik thonë se një trup është gjetur në veri të Gazës

Mohammad Sıo  | 03.12.2025 - Përdıtësım : 03.12.2025
Grupet palestineze do të dorëzojnë sonte mbetjet e një të burgosuri izraelit në Gaza Foto: Khames Alrefi/AA

Gaza/Stamboll

Grupet palestineze Hamasi dhe Xhihadi Islamik thanë sot se do të dorëzojnë mbetjet e një të burgosuri izraelit sonte sipas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, transmeton Anadolu.

Brigadat Qassam, krahu i armatosur i Hamasit, thanë në një deklaratë se transferimi do të bëhet në orët e pasdites, duke shtuar se trupi ndodhej në veri të Gazës. Brigadat Al-Quds, krahu ushtarak i Xhihadit Islamik thanë se luftëtarët e tyre e gjetën trupin gjatë operacioneve të kërkimit dhe gërmimit mëngjesin e sotëm.

Transferimi vjen në kuadër të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve në Gaza që hyri në fuqi më 10 tetor, duke ndaluar luftën dyvjeçare të Izraelit që ka vrarë më shumë se 70 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023.

Të dielën, anëtari i lartë i Hamasit, Husam Badran akuzoi Izraelin se po përdor çështjen e mbetjeve si "pretekst për të shmangur përmbushjen e detyrimeve të tij" sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Izraeli e lidh fillimin e negociatave për nisjen e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit me marrjen e trupave të të gjithë robërve të tij. Ai pretendon se mbetjet e dy robërve izraelitë janë ende në Gaza ndërsa Hamasi thotë se ka dorëzuar të 20 pengjet izraelite që ishin gjallë dhe mbetjet e të 28 të vrarëve.

Ndërkohë, ka 9.500 palestinezë të zhdukur të vrarë nga ushtria izraelite, trupat e të cilëve mbeten nën rrënoja, sipas Zyrës së medias së qeverisë së Gazës.

Izraeli e ka shkelur vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit duke hapur zjarr ndaj civilëve palestinezë në zonat që nuk i kontrollon sipas marrëveshjes ndërsa Hamasi ka njoftuar angazhimin e tij të plotë ndaj kushteve të marrëveshjes dhe i ka kërkuar SHBA-së të ushtrojë presion mbi Izraelin që t'i përmbahet.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 357 palestinezë janë vrarë dhe mbi 900 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga armëpushimi.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın