Greqi, evakuime në shumë vendbanime për shkak të zjarreve pyjore
Zjarrfikësit raportuan se 4.850 persona kanë luftuar me zjarret në të gjithë vendin që nga mëngjesi i së martës dhe se avionët filluan hedhjen e ujit përsëri në mëngjes

Komotini
Për shkak të zjarreve pyjore që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të Greqisë, shumë vendbanime në Akai, Kios dhe Epir u evakuuan gjatë natës ndërsa te vendasit u lëshuan mesazhe paralajmëruese nëpërmjet linjës telefonike të emergjencës, raporton Anadolu.
Zjarrfikësit raportuan se 4.850 persona kanë luftuar me zjarret në të gjithë vendin që nga mëngjesi i së martës dhe se avionët filluan hedhjen e ujit përsëri në mëngjes.
Sipas raportimeve të mediave greke, zjarre të reja shpërthyen gjithashtu gjatë natës në Kefalonia dhe Megara. Zjarri i cili shpërtheu mbrëmë në rajonin Sihena pranë Patrës në prefekturën e Akaisë, preku zonat e banimit duke dëmtuar disa shtëpi dhe duke detyruar evakuime.
Fshatrat në veriperëndim të Kios u evakuuan plotësisht ndërsa zjarri shkaktoi dëme të rënda në tokë bujqësore, pyje, ferma, depo dhe automjete. Roja Bregdetare dhe anije private evakuuan afërsisht 40 persona nga rajoni Limnia me anë të detit.
Zjarri në Komunën Ziros të Prevezës, në rajonin e Epirit, është përhapur përgjatë një vije prej afërsisht 30 kilometrash, duke detyruar evakuimin e shumë fshatrave. Kryetari i Shoqatës së Zjarrfikësve, Kostas Çigas i përshkroi 24 orët e fundit si "ditën më të vështirë" të sezonit të zjarreve në një program televiziv, duke e quajtur situatën si "dramatike".
Ai theksoi se vetëm dje shpërthyen 82 zjarre dhe se erërat e forta, thatësira dhe temperaturat e larta po i ndërlikonin përpjekjet për shuarjen e zjarreve. Çigas shtoi se frontet më të rrezikuara ishin në Patra dhe Prevezë, me të dy zjarret që përparonin pranë zonave të banuara.