Bota

Gjyqtarët francezë lëshojnë urdhërthirrje ndaj aktivistëve franko-izraelitë për bashkëpunim në gjenocidin në Gaza

Dy aktivistët akuzohen se kanë kontribuar përmes organizatave të tyre përkatëse në pengimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare në Rripin e Gazës

İlayda Çakırtekin  | 03.02.2026 - Përdıtësım : 03.02.2026
Gjyqtarët francezë lëshojnë urdhërthirrje ndaj aktivistëve franko-izraelitë për bashkëpunim në gjenocidin në Gaza

Stamboll

Gjyqtarët francezë kanë lëshuar urdhërthirrje për dy aktivistë franko-izraelitë për bashkëpunim të dyshuar në gjenocidin në Gaza, konfirmoi të hënën e përditshmja franceze "Le Monde", transmeton Anadolu.

Urdhërthirrjet u lëshuan në verën e vitit 2025 kundër dy aktivistëve franko-izraelitë që jetonin në Izrael, përfshirë Nili Kupfer-Naouri, themeluese dhe presidente e shoqatës "Izraeli është Përgjithmonë" (Israel Is Forever), dhe Rachel T., zëdhënëse e kolektivit Tsav 9.

"Izraeli është Përgjithmonë" thuhet se synon "mobilizimin e forcave sioniste frankofone", ndërsa Tsav 9 bllokoi vazhdimisht kamionë që shkonin për në Gaza në vitin 2024.

Dy aktivistët akuzohen se kanë kontribuar përmes organizatave të tyre përkatëse në pengimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.

Ndryshe nga urdhërarrestet, urdhërthirrjet nuk përfshijnë paraburgim automatik dhe mund të lëshohen direkt nga gjyqtarët hetues pa pasur nevojë të marrin miratimin nga Zyra Kombëtare e Prokurorit Anti-Terrorizëm (PNAT), e cila ka juridiksion mbi krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin, sipas "Le Monde".

Bashkimi Francez Hebraik për Paqe (UJFP), Al-Haq, Al Mezan dhe Qendra Palestineze për të Drejtat e Njeriut thuhet se janë palë civile në këtë çështje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.