Gjykata Speciale: Përfundon dëshminë Paul Williams, dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Thaçit
Williams, i cili ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ka thënë se nuk e ka parë Hashim Thaçin si udhëheqës në këto bisedime

Prishtinë
Dëshmitari i dytë i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Paul Williams, ka përfunduar në ditën e dytë me radhë dëshminë e tij në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, raporton Anadolu.
Williams, i cili ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ka thënë se nuk e ka parë Hashim Thaçin si udhëheqës në këto bisedime.
Marrëveshja e Rambujesë ishte një propozim ndërkombëtar i paraqitur në vitin 1999 për t'i dhënë fund konfliktit në Kosovë, e cila parashihte vetëqeverisje për Kosovën nën mbikëqyrje ndërkombëtare, por u refuzua nga Serbia, çka çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër forcave serbe.
Williams tha në Hagë se Hashim Thaçi nuk e kishte autoritetin që të vendoste vetë dhe madje shtoi se Thaçi ka realizuar takime edhe me Adem Demaçin i cili ishte kundër marrëveshjes nëse aty nuk përmendej pavarësia e Kosovës.
Përveç kësaj, ai tha se u bë e qartë se komandantët e zonave duhej të bëheshin pjesë e procesit.
"U bë e qartë si drita e diellit se komandantët e zonës duheshin të bëheshin pjesë e procesit", u shpreh Williams, i cili bëri të ditur se brenda objektit ku mbaheshin punimet e marrëveshjes së Rambujesë, ishte e pamundur që të përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës.
Williams para Gjykatës Speciale deklaroi se Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte një strukturë mbi baza rurale dhe jo duke u bazuar në rregulla. Ai tregoi edhe për një rast kur ishte fotografuar Thaçi nga një fotograf francez, e që tashmë i akuzuari thuhet që kishte qenë i shqetësuar se mos po vihej në shënjestër nga Serbia.
Në pyetjen e gjyqtarit Chrispoph Barthe, ish-këshilltari juridik i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Williams, lidhur me ndikimin e Adem Demaçit, tha se ai ishte intelektual shumë i respektuar dhe Thaçi e kishte të domosdoshme që ta takonte Demaçin.
Dëshmitari Williams tha po ashtu se Thaçi gjatë Rambujesë ishte nën presion nga komandantët lokalë në njërën anë si dhe presion ideologjik e kulturor nga Adem Demaçi. Williams nisi dëshminë e tij më 17 shtator dhe ishte dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Thaçit, pas James Rubinit.
Shqyrtimi gjyqësor pritet të vazhdojë të hënën me dëshmitarin e radhës të propozuar nga mbrojtja.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërrasë 11-12 dëshmitarë dhe pasi të përfundojnë provat dhe thirrja e dëshmitarëve të tyre, do të nisë prezantimi nga mbrojtja e ekipit të Krasniqit, të cilët do të paraqesin 4 dëshmitarë.
E dëshmi mbrojtëse nuk pritet të paraqesin ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit.
Sipas aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, pretendohet se ata kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.