Gjykata izraelite zgjat paraburgimin e aktivistes spanjolle në Flotiljen Globale "Sumud"
Seruya, e cila u soll në gjykatë me akuzën e "kafshimit" të një oficeri izraelit gjatë momentit të ndalimit të saj, mohoi akuzat kundër saj

Ankara
Një gjykatë izraelite ka zgjatur për tre ditë të tjera afatin e paraburgimit për aktivisten spanjolle Rais Rigo Seruya, e cila u ndalua në Flotiljen Globale "Sumud", që u nis për të thyer bllokadën e paligjshme dhe për të dërguar ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në lajmet e mediave lokale thuhet se Seruya u paraqit në gjykatë në qytetin jugor izraelit të Beershevës (Be'er Sheva). Seruya, e cila u soll në gjykatë me akuzën e "kafshimit" të një oficeri izraelit gjatë momentit të ndalimit të saj, mohoi akuzat kundër saj.
Seruya ka thënë se gardianët izraelitë e kanë sulmuar atë.
Avokati i saj i ka pyetur zyrtarët e policisë në gjykatë nëse janë shqyrtuar apo jo pamjet e kamerave të sigurisë që kanë regjistruar incidentin.
Zyrtarët e policisë pranuan se "pamjet e kamerave të sigurisë nuk ndodheshin në posedim të tyre dhe se nuk ishin shqyrtuar".
Gjykata zgjati paraburgimin e Seruyas për tre ditë të tjera.
- Flotilja Globale "Sumud"
Flotilja Globale "Sumud", e cila u nis për të thyer bllokadën izraelite dhe për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza, iu afrua ujërave të Gazës mbrëmjen e 1 tetorit.
Ushtria izraelite sulmoi flotiljen, duke sekuestruar 42 anije që i përkisnin Flotiljes Globale "Sumud" dhe duke ndaluar qindra aktivistë ndërkombëtarë në bord, të cilët më pas u transferuan në burgun Ketziot në jug të vendit.
Flotilja Globale "Sumud" është flotilja më e madhe deri më tani e nisur në formë masive për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.