Gjermania është "thellësisht e shqetësuar" për rritjen e numrit të të vdekurve nga protestat në Iran
"Situata në Iran është thellësisht shqetësuese. Njerëz nga të gjitha pjesët e vendit po demonstrojnë paqësisht për liri dhe një jetë më të mirë në vendin e tyre", tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille
Berlin
Gjermania tha të hënën se është "thellësisht e shqetësuar" për numrin në rritje të të vdekurve në protestat e vazhdueshme antiqeveritare në Iran, transmeton Anadolu.
"Situata në Iran është thellësisht shqetësuese. Njerëz nga të gjitha pjesët e vendit po demonstrojnë paqësisht për liri dhe një jetë më të mirë në vendin e tyre", tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, në një konferencë për shtyp në Berlin.
"Kancelari i bën thirrje udhëheqjes iraniane të mbrojë popullin në vend që ta kërcënojë atë. Ne dënojmë me fjalët më të ashpra dhunën që udhëheqja në Teheran po drejton kundër popullit të vet. Kjo dhunë duhet të marrë fund", shtoi ai.
Irani është tronditur nga valë protestash që nga muaji i kaluar, duke filluar më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më vonë u përhapën në disa qytete të tjera.
Nuk ka shifra zyrtare të viktimave, por Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), një grup i të drejtave me bazë në SHBA, vlerëson se numri i të vdekurve ka arritur të paktën 544, duke përfshirë si forcat e sigurisë ashtu edhe protestuesit, me mbi 1.000 të plagosur.
HRANA ka raportuar gjithashtu se të paktën 10.681 persona janë arrestuar gjatë protestave në 585 vende në të gjithë vendin, duke përfshirë 186 qytete në të 31 provincat.
Irani e ka përshkruar situatën aktuale në vend si "një luftë terroriste kundër popullit iranian" dhe një vazhdim të agresionit SHBA-Izrael.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
