Gjermania: Vendimi i Trumpit lidhur me Universitetin e Harvardit kufizim i demokracisë
Qeveria gjermane e ka cilësuar si kufizim të demokracisë, vendimin e administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të ndaluar pranimin e studentëve të huaj në Universitetin e Harvardit

Berlin
Qeveria gjermane e ka cilësuar si kufizim të demokracisë, vendimin e administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të ndaluar pranimin e studentëve të huaj në Universitetin e Harvardit, transmeton Anadolu.
Zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille në konferencën për media në Berlin, kritikoi ashpër masat e ndërmarra nga qeveria amerikane kundër Universitetit të Harvardit, duke thënë se "Kufizimet në lirinë akademike janë kufizime në demokraci".
Ministrja Federale e Kërkimit, Dorothee Baer e kritikoi vendimin në një deklaratë në Bruksel, duke thënë se "Shpresoj që qeveria amerikane ta tërheqë këtë vendim sepse kjo është një situatë vërtet serioze".
Ajo shtoi se është shumë e shqetësuar për atë që po ndodh aktualisht në SHBA.
Mësohet se Ministria e Jashtme gjermane është në kontakt me SHBA-në për këtë çështje, pasi vendimi i administratës së Trumpit prek edhe studentët gjermanë.