Bota

Gjermania synon bashkëpunim më të ngushtë ekonomik me Sirinë

"Gjermania sheh potencial të konsiderueshëm për bashkëpunim ekonomik me Sirinë", tha ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul

Ayhan Şimşek  | 30.03.2026 - Përdıtësım : 30.03.2026
Gjermania synon bashkëpunim më të ngushtë ekonomik me Sirinë

Berlin

Gjermania sheh potencial të konsiderueshëm për bashkëpunim ekonomik me Sirinë, tha sot ministri i Jashtëm Johann Wadephul, duke premtuar mbështetje për rimëkëmbjen dhe rindërtimin ekonomik të vendit, transmeton Anadolu.

Duke folur në një forum ekonomik në Ministrinë e Jashtme, ku priti presidentin sirian Ahmed al-Sharaa dhe zyrtarë të lartë, Wadephul premtoi mbështetjen gjermane për përpjekjet e Sirisë për të ndërtuar institucione shtetërore funksionale dhe një ekonomi të qëndrueshme.

"Deri vonë, Siria vuante nën një diktaturë brutale dhe luftën civile që rezultoi prej saj", tha Wadephul i cili shtoi se "Detyra e zhvillimit të shtetësisë që mund të garantojë siguri, liri dhe një jetë me dinjitet është e jashtëzakonshme sot".

Ai theksoi se Gjermania synon të luajë rol të fortë në zhvillimin ekonomik të Sirisë, duke i përshkruar mundësitë afatmesme dhe afatgjata për bashkëpunim dypalësh dhe tregti si "të jashtëzakonshme".

"Siria ka potencial të madh për t'u zhvilluar si pjesë e fqinjësisë së Evropës dhe zonës së përbashkët ekonomike - si një treg, por edhe si një prodhues dhe mbi të gjitha si një partner". Siria është gjithashtu qendër strategjike midis Evropës, shteteve të Gjirit dhe Indo-Paqësorit", tha Wadephul.

Duke iu referuar ndikimit të konflikteve ndërkombëtare dhe luftës së SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në ekonominë globale, kryediplomati gjerman tha se qeveria e Sirisë megjithatë po bën përparim.

"Situata aktuale në botë nuk e bën punën tuaj më të lehtë dhe situata në fqinjët tuaj sigurisht që nuk e bën atë më të lehtë. Por, qeveria juaj ka arritur të parandalojë përhapjen e luftës aktuale në territorin sirian. Ky është një sukses i madh. Shoh shumë hapa në këtë drejtim që më japin shpresë", tha ai.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.